Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës: Asgjë nuk është e pamundur, me mbështetjen e ShBA dhe BE

  • Postuar më, 21/10/2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Kryetarja e këtij Komisioni, znj. Time Kadrijaj, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë. Në takim ndodhej edhe Ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Nait Hasani.

Z. Ruçi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe vëllazëror midis dy vendeve, i cili është strategjik, stabilizues për rajonin dhe orientues për perspektivën euroatlantike të vendeve tona. Partneritetin Strategjik e gjithëpërfshirës me Kosovën ta bëjmë një model për bashkëpunimin rajonal. 

 “Shqipëria mbështet fuqishëm Dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SH.B.A. Rezultati përfundimtar duhet të jetë një Marrëveshje e detyrueshme ligjore, që mundëson njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtim të drejtë të minoriteteve, konform Kushtetutës së Kosovës. Shqipëria mirëpret marrëveshjen e nënshkruar në Uashington në 4 Shtator 2020 nga Kryeministri Hoti dhe Presidenti Vuçiç, në prani të Presidentit të SHBA, Trump, dhe e konsideron si një hap të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke midis dy vendeve.

Ne vlerësojmë rolin dhe angazhimin e Presidentit të SHBA-ve dhe administratës së tij në avancimin dhe konsolidimin e procesit të paqes, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes Euro-Atlantike të rajonit. Asgjë nuk është e pamundur, me mbështetjen e ShBA dhe BE. Në politikën e jashtme nuk mund të arrihet asnjëherë një fitore e plotë, e mënjëhershme.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Kryetarja e Komisionit, znj. Time Kadrijaj, falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për pritjen dhe vuri në dukje  se “Mbështetja e Shqipëqrisë për Kosovën, e cila kurrë nuk ka munguar, është një inkurajim i madh për institucionet e Kosovës. Çdo arritje e Shqipërisë është edhe e Kosovës dhe anasjelltas. Ne do të vlerësonim shumë mbështetjen e vazhduershme të Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.”

 

 

 


Share