Kuvendi votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe projektvendimet për organet e reja të KQZ-së

  • Postuar më, 05/10/2020

5 tetor 2020

 

Kuvendi, në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, votoi në seancën e sotme plenare ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke përmbyllur procesin e reformës zgjedhore, si edhe votoi katër projektvendimet për organet e reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve: Komisionerin dhe Nënkomisionerin shtetëror të zgjedhjeve, përbërjen e Komisionit rregullator dhe Komisionin për Ankesa dhe Sanksione. Seanca e sotme miratoi me shumicë të cilësuar projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar”” dhe katër projektvendimet e organeve të reja të KQZ-së: ““Për zgjedhjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”; “Për zgjedhjen e Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”; “Për zgjedhjen e Komisionit Rregullator” dhe “Për zgjedhjen e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve”.  

Në emër të grupeve parlamentare, lidhur me projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””, deputetët e shumicës u shprehën se ndryshimet e sjella reflektojnë më së miri kërkesat e zgjedhësve për mundësi të tjera përveç votimit të logos partiake. Ndryshimet, sipas diskutimit të z. Balla, sollën shembullin kroat të zgjedhjeve, por duke ndërhyrë për hir të konsensusit mes palëve për ulje të pragut zgjedhor nga 5% në 3%, e më pas në 1%. Z.Balla e konsideroi si krejt të mundur, pavarësisht vonesave, që emigrantët të bëhen pjesë e këtij procesi zgjedhor dhe bëri thirrje për organet e reja të KQZ-së që të fillojnë të punojnë edhe në këtë drejtim. Ai gjithashtu shprehu keqardhjen për pamundësinë që në zgjedhjet e vitit 2021 të shkohej drejt zgjedhjeve me komisionerë jopartiakë. Në tërësi ai e konsideroi historike përmbylljen e reformës zgjedhore. Qëndrim të tillë patën edhe dy kryetarët e tjerë të grupeve parlamentare të opozitës, z. Stojku dhe z. Musai, që e vlerësuan mbylljen e një procesi të zgjatur artificialisht. Ata shprehën pakënaqësitë e tyre për çështjet që mbetën të pazgjidhura, por në parim shprehën mbështetje për ndryshimet e sjella në Kod, pasi sipas tyre garantohet një proces zgjedhor demokratik dhe një rezultat i pakundërshtueshëm nga palët. Z. Murrizi, në emër të grupit parlamentar demokrat, shprehu pakënaqësi për mungesën e përfshirjes në ndryshime të kërkesës për komisione jopartiake administrimi dhe për hapjen, që ai e konsideroi jo të plotë të listave të kandidatëve. Në përfundim të diskutimeve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u votuan me 97 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

Lidhur me katër projektvendimet për organet e reja të KQZ-së, z. Ilirjan Celibashi u zgjodh Komisioner shtetëror për zgjedhjet me 106 vota pro, Lealba Pelinku u zgjodh Nënkomisionere shtetërore për zgjedhjet me 105 vota pro, me listë të përbashkët të votuar me 107 vota pro anëtarë të Komisionit Rregullator u zgjodhën znj. Ilirjana Nano, z. Dritan Çaka, z. Arens Çela, z. Muharrem Cakaj, znj. Helga Vukaj; me 105 vota pro u votua edhe lista e përbashkët për komisionerë të KAS-it, z. Ilirjan Rusmajli, z. Elvin Lako, z. Koli Bele, z. Elvis Çefa dhe z. Ledjo Braho.

Në kuadër të zbatimit të masave protokollare anti-Covid, edhe seanca e sotme u zhvillua në kushte të posaçme. 


Share