Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi ndryshimet në ligjin për diskriminimin dhe në ligjin për masat ndaj dhunës në familje

  • Postuar më, 25/09/2020

25 shtator 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit z. Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, shqyrtoi dhe miratoi dy projektligjet: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10221 datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”  dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar””.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit të parë, i cili ishte miratuar më herët në parim, ishin ftuar të merrnin pjesë: z. Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi, z. Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë dhe z.Besmir Beja, Drejtor i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë. Znj.Vasilika Hysi gjatë relatimit për komisionin bëri të ditur se drafti është i është nënshtruar procesit të konsultimit publik dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ka sjellë një sërë sugjerimesh për përmirësimin e mëtejshëm të projekt-aktit. Pas pyetjeve, diskutimeve dhe sugjerimeve të ndryshme, anëtarët e komisionit miratuan nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ja kaluar për miratim seancës plenare.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e projekligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar””, nismë e dy deputeteve znj.Eglantina Gjermeni dhe znj.Klotilda Bushka. Projekligji u relatua për komisionin nga deputetja znj.Vasilika Hysi. Të ftuar në mbledhje ishin znj.Bardhylka Kospiri, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, z. Klajd Karameta, zëvendësministër i Drejtësisë, përfaqësues nga shoqëria civile që punojnë në fushën e të drejtave të grave, organizatat ndërkombëtare, etj.

Znj.Hysi gjatë relatimit për komisionin parashtroi ndryshimet që ka pësuar drafti, i cili i është nënshtruar konsultimit të gjerë me përfaqësues të shoqërisë civile, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, PNUD, organizatave ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e grave, Avokatit të Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, etj. Znj. Hysi vlerësoi se ndryshimet ligjore do të adresojnë shumë prej rekomandimeve të Raportit të Vlerësimit të GREVIO-s , por mbi të gjitha zgjidhen probleme jetike në lidhje me mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Pas diskutimeve dhe sygjerimeve për nene të veçanta, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi nismën e deputeteve Gjermeni dhe Bushka.

Mbledhja e sotme u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, “Cisco Webex”.


Share