Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë thirret në interpelancë urgjente. Ecuria e disa projekteve rrugore të qarkut Korçë në objekt të kërkesës

  • Postuar më, 24/09/2020

24 shtator 2020


Në seancën e sotme plenare, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku, u thirr në një interpelancë urgjente të kërkuar nga një grup deputetësh. Deputetët Koçi Tahiri, Enver Roshi, Ramazan Gjuzi, Kostaq Papa, Edmond Stojku, Arlind Çarcani dhe Halil Jakimi kërkonin përmes thirrjes së tyre për interpelancë më tepër informacion lidhur me afatin e përfundimit të aksit rrugor Qukës-  Qafë Plloçë; kërkonin informacion mbi parametrat e aksit Korçë-Maliq-Lozhan i Ri-Stelçë, si edhe kërkonin të dinin nëse ka ndonjë projekt për të lidhur aksin turistik Qafë Plloçë-Gocë-Voskopojë-Vithkuq. Objektin e kërkesës së thirrjes për interpelancë e parashtroi deputeti Koçi Tahiri.

Ministrja Belinda Balluku e ndau sqarimin e saj në tri pjesë. Lidhur me projektin Qafë Plloçë-Gocë-Voskopojë-Vithkuq, ministrja bëri me dije që nuk bën pjesë në inventarin e rrugëve nacionale e si rrjedhojë ministria nuk ka një projekt, por nga informacioni i siguruar prej Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ajo siguroi se së shpejti do të shpallet një projekt i ri për këtë aks.

Lidhur me parametrat e munguara, sipas pretendimit të deputetëve kërkues të interpelancës, ministrja bëri të ditur që për të tri akset e Korçë-Maliq-Lozhan i Ri dhe Stelçë, ekzistojnë nënkontrata mirëmbajtjeje. Ajo shtoi se për aksin Libonik-Lozhan janë parashikuar 73 milionë Lekë punime rehabilituese. Pavarësisht kontratave mirëmbajtëse, ministrja u shpreh se Autoriteti i Rrugëve ka një projekt preventiv për sjelljen e parametrave të sigurisë.

Ministrja Balluku u ndal më gjatë te projekti i papërfunduar i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, duke shtuar se për disa kohë ky projekt, që prej 2010-2011-s, e nga 2013-a si kohë e lidhjes së kontratës. Ministrja e çmoi me rëndësi kombëtare dhe lokale përfundimin e këtij aksi.  Znj. Balluku, në sqarimin e saj, ofroi disa të dhëna: loti i parë ndodhet ne realizim fizik 86.52%, pagesat janë 72.78%; loti i dytë ndodhet ne realizim fizik 84.36%, pagesat e certifikuara janë 81.58 %; loti i tretë është në realizimin fizik 51%.  Sa u takonte dy lotëve të para, znj. Balluku u shpreh se punimet do të duhej të përfundonin në vitin 2018, por gjatë punimit janë vërejtur problematika të njohura me të gjitha projektet 2010-2013, sidomos me problemet gjeologjike dhe mungesën e projekteve gjeologjike si trashëgimi e mëparshme. Kjo ka sjellë ndryshime përmirësuese të projekteve të para, duke shtuar koston dhe afatet e përmbylljes së punimeve, deri më prill 2021.  Sipas ministres, loti i tretë, sipas preventivës paraprake të vitit 2011 kushtonte 50 milionë dollarë. Fondi Saudit garantoi 25 milionë dollarë, gjysmën e shumës, mirëpo të njëjtat probleme me mungesën e studimeve gjeologjike janë vërejtur edhe në këtë aks, ndaj, sipas llogaritjes, kryesisht për përforcimin e strukturave mbajtëse kundër rrëshqitjes, në lotin e tretë, 33 kilomentra të gjatë, nevojiten edhe 24 milionë dollarë të tjerë. Kjo sjell edhe zgjatjen me dy vjet të tjerë të afatit të mbarimit të këtij projekti.

Z. Koçi, në mbyllje të kërkesës së tij, ngriti edhe një herë shqetësimin për standardin e punimeve, kërkoi vënien para përgjegjësisë ligjore të përgjegjëseve për kostot e shtuara dhe shpërdorimin e kohës. Deputeti Tahiri shtoi se resurse të tëra turistike po lihen të pashfrytëzuara me mungesën e këtyre veprave. Znj. Balluku, nga ana e saj, siguroi përpjekjet maksimale të ministrisë, në bashkëpunime me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe kreditorët potencialë, për t’i shpënë përpara sa më në kohë këto projekte.  


Share