Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.440 datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” të ndryshuar”

  • Postuar më, 22/09/2020

 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.440 datë 7.7.2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis” të ndryshuar”.   

Të ftuar në mbledhjen e sotme të komisionit ishin përfaqësues nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit znj. Ornela Bela dhe z. Ergis Tafalla.

Në prezantimin e projektligjit z. Tafalla u shpreh se ky projektligj synon arritjen dhe ngritjen në një tjetër nivel të koordinimit ndërinstitucional mes autoriteteve pergjegjëse për miratimin e zhvillimit të projektve, me ndikim në mjedis. “Synohet një nivel më i lartë i sistemit të vetëmonitorimit të ndikimeve të rëndësishme negative në mjedis sikurse edhe një zbatim rigoroz nga ana e zhvilluesëve të kushteve mjedisire që vendosen nga autoritetet kompetente.” - theksoi ndër të tjera z. Tafalla.

Relatori i projektligjit z. Besnik Baraj nga ana e tij tha se problematika me të cilën përballet procesi i VNM-së është se kjo procedurë ende nuk kryhet sistematikisht para miratimit a fillimit të projekteve nga autoritetet përgjegjëse, dhe ligji nuk është se ka munguar por problemi janë njerëzit duke filluar nga subjektet private e duke përfunduar tek institucionet.

Pas konsultimeve dhe pyetjeve e sugjerimeve, sipas kërkesës nga anëtarët e komisionit, kryetari z. Niko Peleshi vendosi shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në një mbledhje të dytë.



Share