Kryetari i Kuvendit,z. Gramoz Ruçi, përshëndetje në 78-vjetorin e Konferencës së Pezës: Në Pezë, të bashkuar për lirinë, sot të bashkohemi për reformat dhe Europën

  • Postuar më, 16/09/2020

Kryetari i Kuvendit,z. Gramoz Ruçi, ka përshëndetur sot me rastin e 78-vjetorit të Konferencës së Pezës.  

“Konferenca e Pezës është një  shenjë e dallueshme në historinë e Shqipërisë. E mbajtur në një nga udhëkryqet e historisë botërore, Peza zgjodhi pozicionin e duhur në konfliktin botëror që kishte nisur. Ajo synoi t’i bashkonte shqiptarët në rreshtimin e tyre në krah të aleatëve të mëdhenj të koalicionit antifashist.

Konferenca e Pezës integroi frymëzimet e rilindjes kombëtare dhe të luftrave për pavarësi me idealet antifashiste për çlirim dhe përparim.

Konferenca e Pezës mori vendimin e madh historik për t’u bashkuar për të çliruar e ndryshuar Shqipërinë, një vendim që inspiron dhe do të vazhdojë të inspirojë shqiptarët, sot e në kohët që vijnë.

Vizioni dhe mesazhi i  Konferencës së Pezës si bashkim për lirinë, janë sot aktual dhe një mësim historik për t’u bashkuar për reformat,  Europën dhe partneritetin me aleatët tanë strategjikë.”, shkruan Kryetari i Kuvendit,z. Gramoz Ruçi, në përshëndetjen me rastin e  78-vjetorit të Konferencës së Pezës.


Share