Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme merr pjesë në Konferencën organizuar nga Kryesia Shqiptare e OSBE-së me temë “Partneriteti efektiv kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm”

  • Postuar më, 14/09/2020

Sot filloi në Vienë konferenca “Partneriteti efektiv kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm”, organizuar nga Kryesia Shqiptare e OSBE-së në bashkëpunim me Sekretariatin e Njësisë së Veprimit kundër Terrorizmit, Departamenti i Rreziqeve Transkombëtare.

Konferenca u hap me një fjalim të mbajtur nga Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme z. Genti Caka, në emër të Kryeministrit z. Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë.

Në sesionin e parë të Konferences e cila zhvillohet virtualisht në Vienë, në 14 dhe 15 shtator, e mori fjalën edhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar per Politikën e Jashtme, znj. Mimi Kodheli. Në fjalën e saj znj. Kodheli u përqëndrua tek bashkëpunimi në shkallë sa më të gjerë dhe koordinimi, si shtylla kryesore në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit. Më tej ajo u ndal tek masat e Shqipërisë në këtë drejtim. Në këtë kuadër ajo përmendi rëndësinë e Këshillave Lokalë për Sigurine Publike si dhe të sistemit të Informacionit Paraprak për Pasagjerin.

Znj. Kodheli nënvizoi gjithashtu rrezikun e shtuar që përbën pandemia e COVID-19 për sigurinë globale si një terren i përshtatshem për aktivitetin terrorist. Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, znj. Kodheli e vuri theksin tek roli i parlamentarëve dhe kontributit i tyre në forcimin e legjislacionit të brendshëm, mbikqyrjen e veprimtarisë së qeverisë dhe rritjen e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtare.


Share