Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, mesazh me rastin e festës së Kurban Bajramit: Me kujdesin tuaj dhe me ndihmën e besimit, jeta e lumturia do të triumfojnë mbi pandeminë
- Postuar më, 31/07/2020

Kryetari i Kuvendit, z.
Gramoz Ruçi, iu është drejtuar besimtarëve myslimanë dhe qytetarëve shqiptarë
me një mesazh me rastin e festës së Kurban Bajramit.
“Sot është festa e Kurban Bajramit.
Besimtarëve myslimanë, në Shqipëri dhe në Diasporë, u uroj Gëzuar festën e
bukur të Kurban Bajramit. Gëzimi i festës i gjen Shqipërinë dhe shqiptarët,
ashtu si gjithë besimtarët myslimanë, nën ankthin e rrezikut të pandemisë së
koronavirusit. Por unë, ashtu si të gjithë ju, vëllezër besimtarë dhe qytetarë
shqiptarë, kudo ku jetoni, jam i bindur se, me përpjekjet e kujdesin tuaj dhe
me ndihmën e besimit, gëzimi do ta mundë dëshpërimin; shpresa do ta mposhtë
frikën; drita do të ndriçojë mbi errësirën; qartësia do të shpërndajë mjegullat
e sëmundjeve dhe trishtimit; ëmbëlsia e festës do të shijojë përmbi hidhërimin
që shkakton pandemia; e mira do të përzërë të keqen nga jeta dhe vatrat
familjare të çdo besimtari e shqiptari; lumturia do të tresë dhimbjen, dyert e
shkollave e universiteteve do të rihapen dhe do të mbushen me zërat gazmorë të
nxënësve e studentëve; prindërit do të çlirohen nga meraku njerëzor për
fëmijët, të moshuarit do të rikthehen në jetën e tyre të qetë; bizneset do të
kthehen në prodhimin dhe shërbimet me kapacitetet e tyre të plota; përqafimi do
t’i zejë vendin distancës e veçimit; gjallëria do të zëvendësojë pezmatimin dhe
jeta do të triumfojë mbi rrezikun pandemik. Gjej rastin të shprehë mirënjohjen
time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për besimtarët myslimanë dhe të gjitha
komunitetet fetare për solidaritetin dhe humanizmin që treguan e po tregojnë
gjatë pandemisë.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz
Ruçi.