Mbyll punimet Sesioni i gjashtë i Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë. Miratohen ndryshimet kushtetuese
- Postuar më, 30/07/2020

30 korrik
2020
Kuvendi i Shqipërisë,
në drejtimin e Kryetarit, z. Gramoz Ruçi, u mblodh në seancën e fundit plenare
për Sesionin e gjashtë të Legjislaturës së nëntë. Seanca e sotme shqyrtoi dhe
miratoi projekligjin "Për disa ndryshime
në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 "Kushtetuta e Republikës së
Shqipërisë", të ndryshuar"", nismë e 28 deputetëve të opozitës
parlamentare.
Në nisje të
diskutimeve plenare fjalën e morrën katër relatorët e nismës për ndryshime
kushtetuese.
Deputeti
Alket Hyseni, njëri prej relatorëve të caktuar nga mazhoranca parlamentare, në
nisje të fjalës i quajti punimet e sotme si tepër të rëndësishme për
parlamentarizmin shqiptar, sepse ndryshimet prekin drejtpërdrejt qytetarin
shqiptar. “Projekligji vjen si pasojë e një nisme totalisht kushtetuese, e një
kuorumi deputetësh të përcaktuar në këtë Kushtetutë të verifikuar dhe të kaluar
në një procedurë parlamentare, ashtu siç e përcakton vetë Kushtetuta dhe ashtu
siç e përcakton Rregullorja. Ju jeni në dijeni që Këshilli i Legjislacionit në
mbledhje të përbashkët me Komisionin e Ligjeve morrën në shqyrtim këtë nismë, e
kanë diskutuar, e kanë kaluar në disa etapa, ka kaluar në vlerësimin nga
konstitucionalistët ata më të mirët që ne kemi thirrur dhe kemi pasur në
dispozicion në Shqipëri, ekspertë të cilët janë shprehur totalisht në favor të
këtyre ndryshimeve dhe na kanë ndihmuar edhe në përmirësimin e formulimit të
draftit”, u shpreh z.Hyseni.
Deputeti
Korab Lita, njëri prej bashkërelatorëve të caktuar nga opozita parlamentare, u
shpreh se procedura e ndryshimit të Kushtetutës për hapjen e listave ka kaluar
të gjithë praktikën ligjore në komisionet parlamentare, grupet e interesit,
ekspertët konstitucionalistë, janë ndjekur të gjitha procedurat dhe ka marrë
gjithë kohën e duhur për tu diskutuar. “Kjo është një përgjigje për të gjithë
ata që thonë se Kushtetuta po ndryshohet me shpejtësi, pa diskutime dhe pak
muaj para zgjedhjeve”, u shpreh z.Lita, duke shtuar se ndryshimet kushtetuese:
“janë porta në të cilën do hapet diskutimi publik për Kodin Zgjedhor”.
Deputetja
Klotilda Bushka, bashkërelatore e mazhorancës parlamentare vlerësoi se
amendimet do të sanksionojnë në Kushtetutë fuqizimin e qytetarëve nëpërmjet
votimit me lista të hapura, e cila është dhe një kërkesë e qytetarëve shqiptarë.
Znj.Bushka theksoi se thelbi i ndryshimeve kushtetuese është garantimi i përkthimit
të votës së drejtpërdrejt me mandate përfaqësimi, sipas vullnetit të qytetarit.
“Kushtetuta vendos një nivel poshtë të cilit nuk mund të shkohet, 2/3 e listës
duhet të jenë me patjetër të hapura dhe kjo nuk është vendosur pa një qëllim.
Ekspertët dhe modelet që kanë lista të hapura sygjerojnë që një pjesë e listës
duhet të jetë jo e hapur për të garantuar atë standard që në Shqipëri, ne me
krenari e kemi arritur, pikërisht përfaqësimin gjinor”, theksoi znj.Bushka,
duke shtuar se detajet për hapjen e plotë të listave dhe pragun elektoral do të
përcaktohen në Kodin Zgjedhor, në bazë të një konsultimi dhe diskutimi të gjerë
publik dhe politik. Lidhur me debatin për kualicionet znj.Bushka shtoi se: “Kushtetuta
nuk e pengon shprehimisht se kualicionet parazgjedhore nuk do të jenë, por
sistemi me lista të hapura, të nderuar kolegë dhe të dashur qytetarë, nuk i
pranon formatet e kualicioneve sipas atyre që zbatohen sot. Kushtetuta parashikon
parimet dhe kriteret bazë, por detajet përcaktohen në Kodin Zgjedhor”.
Ndërsa
deputetja Ediola Braha, bashkërelatorja e opozitës parlamentare, u ndal në
procedurën e ndjekur për shqyrtimin e nismës, konsultimin publik me grupet e
interesit, përfaqëues të: institucioneve të pavaruara, organizatave ndërkombëtare,
botës akademike, ojf-ve, etj.
Znj. Braha
theksoi se rëndësi të veçantë gjatë shqyrtimit morri opinioni i ekspertëve, të
cilët në përgjigje të pyetjeve të adresuara, bazuar në standardet ndërkombëtare
për sistemet dhe proceset zgjedhore, sqaruan se kjo nismë është në përputhje me
standardet ndërkombëtare. “Amendamentet kushtetuese të propozuara sjellin disa
risi në zbatimin e sistemit zgjedhor, që garanton të drejtën e zgjedhësve për të
votuar dhe leximit sa më të drejtë të votës së tyre parapëlqyese”, u shpreh
znj.Braha.
Në vijim të
rendit të diskutimeve lidhur me projekligjin u shprehën kryetarët e grupeve
parlamentare, të cilët shprehën dakordësinë për ndryshimet kushtetuese.
Z. Nimet
Isufi, Kryetar i Grupit Parlamentar “I Pavaruar” theksoi nevojën e dialogut për
ndryshime të mëtejshme, që lidhen me depolitizimin e plotë të administratës
zgjedhore,si dhe hapjen e plotë të listave.
Kryetari i
Grupit Parlamentar “Demokraci dhe Drejtësi”, z.Edmond Stojku u shpreh se rreth
90% e shqiptarëve kërkon lista të hapura, të cilat garantojnë
përfaqësimin
e duhur të shqiptarëve të parlament. Hapjen e listave z.Stojku e cilësoi si
fillimin e një pune të madhe, sepse një nga proceset më të rëndësishme për votën
e lirë është depolizitimi i komisioneve zgjedhore, si dhe votimi i diasporës, që
sipas tij përbën gjysmën e votuesve të vendit.
Të njëjtin qëndrim
mbajti edhe Kryetari i Grupit Parlamentar “Demokrat”, z.Myslym Murrizi, i cili
u shpreh se pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave, hapi
i radhës duhet të jetë depolitizimi i administratës zgjedhore.
Kryetari i
Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z.Taulant Balla u shpreh se ndryshimet
kushtetuese, i japin mundësi qytetarëve tashmë të kenë dy zgjedhje dhe jo një,
dhe partinë dhe kandidatin. Më tej z.Balla duke marrë shkak nga
hetimet e fundit të SPAK (Prokuroria Speciale Anti-Korrupsion), theksoi rëndësinë për zgjidhjen e atij që e
quajti si problem akut
në Shqipëri, depolitizimin e zgjedhjeve dhe administratës zgjedhore.
Me kërkesë të
Kryetarit të Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, me qëllim garantimin e transparencës së
plotë dhe për shkak të rëndësisë së ndryshimeve, në përfundim të seancës,
z.Alket Hyseni në emër të Sekretarit të Votimit bëri leximin nominal për çdo
fletë votimi, duke cituar emrin e deputetit dhe mënyrën se se kishte votuar. Në
përfundim, nga votat e lexuara, projektligji "Për disa ndryshime në ligjin
nr. 8417, datë 21.10.1998 "Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë", të
ndryshuar"",u miratua me 106 vota pro dhe 10 kundër.
Në përfundim të punimeve, kryetari z.Ruçi deklaroi të mbyllur sesionin e gjashtë të legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Shqipërisë dhe njoftoi se sesioni i shtatë do ti nisë punimet më datën 7 shtator 2020. Seanca plenare i mbylli punimet në orën 13:00.