Kuvendi mblidhet në seancë plenare, miraton njëmbëdhjetë projektligje dhe dy akte normative
- Postuar më, 29/07/2020

29 korrik 2020
Seanca
e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, shqyrtoi
dhe miratoi njëmbëdhjetë projektligje dhe dy akte normative. Projektligjet
e miratuara në seancën e sotme ishin: “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”; “Për
disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017, “Për sportin””; “Për disa
ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të
ndryshuar”; “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin
mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.
4/2020, “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, “Për
një ndryshim në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të
qarkullimit”, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008
“Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””, “Për disa
shtesa në ligjin nr. 8743/2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, “Për regjistrin
e pronarëve përfitues” dhe “Për shtetësinë”. Ndërkaq, seanca e sotme miratoi
edhe dy aktet normative: aktin normativ nr.
28, datë 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020” të ndryshuar”” dhe aktin normativ
nr. 30, datë 20.07.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin normativ nr. 3,
datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta
administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga
COVID-19” të ndryshuar””. Në fillim të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit njoftoi dakordësinë e Konferencës së Kryetarëve për të përfshirë
në rendin e diskutimeve të ditës projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të
drejtën e informimit për dokumentet e ish- sigurimit te shtetit të Republikës
Popullore Socialiste të Shqipërisë”, nismë e deputetëve Dralo dhe Leka, që
gjithashtu u miratua nga seanca plenare.
Miratohet projektligji “Për
zhvillimin rajonal dhe kohezionin” dhe ndryshimet në ligjin për sportin. Shtesë
në ligjin për tatimin e të ardhurave, tjetër hap drejt formalizimit të klubeve
sportive
Diskutimet
plenare nisën me shqyrtimin e projektligjit “Për zhvillimin rajonal dhe
kohezionin”. Ky projektligj synon realizimin e tri obejktivave: ndalimin e
shpopullimit të zonave rurale dhe emigracionit për të ruajtur projeksionet
demografike në kushte të favorshme dhe për të ruajtur identitetin e disa zonave
të caktuara rurale; luftimin e papunësinë dhe garantimin e një modeli fleksibël
të zhvillimit socioekonomik, përmes një qasjeje që përshtat intesitetin e
nevojshëm të ndërhyrjes në secilën prej zonave. Në përfundim të diskutimeve, seanca
plenare e miratoi projektligjin me 81 vota pro, 9 kundër dhe 3 abstenim.
Diskutimet
e seancës plenare vijuan me ndryshimet e sjella përmes ligjit “Për disa shtesa
dhe ndryshime në ligjin nr. 79/2017, “Për sportin””. Katër ndryshimet kryesore të sjella në ligj ishin përfshirja e
konceptit të kartës së tifozit, për të minimizuar rastet e dhunës; stimulimi
përmes ligjit i ndihmës dhe sponsorizimeve të materialeve sportive, me qëllim
që të stimulohet infrastruktura në sport përmes përjashtimeve nga taksa
doganore; paracaktimi se mbështetja financiare nga njësitë e vetëqeverisjes
vendore është e mundur duke caktuar si dysheme rrogën mujore bruto të
futbollistëve jo më të vogël se 1 milionë Lekë të vjetra, me qëllim shmangien e
evazionit fiskal në sport; ndryshimi i katërt lidhej me rregullat e pajisjes së
identifikimit të kartës së tifozit. Në emër të grupit parlamentar të
Partisë Socialiste, deputeti Fidel Ylli u shpreh se kjo nismë vjen
gjithëpërfshirëse dhe konsensuale, për ta mbështetur sportin shqiptar. Sipas
tij, nisma përbën përmbylljen e kuadrit ligjor ndihmues për sportin, që shpreh
vullnetin pozitiv të qeverisë në këtë drejtim. Z. Ylli theksoi se me amendimet
e Kodit Penal për dhunën në sport, me ligjin e sponsorizimeve në sport, me
ligjin për të ardhurat e sportistëve dhe me diskutimin e 6% të TVSH-së për
objektet sportive, krijohet një paketë e plotë serioze për ndihmën e sportit.
Në përfundim të diskutimeve, ky projektligj u miratua me 87 vota pro, 7 kundër
dhe 2 abstenim.
Seanca
e sotme miratoi edhe projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, dt.
28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar””, që synon nxitjen
përmes përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale pagat dhe shpërblimet
e sportistëve me kontratë të rregullt me klubet sportive dhe pasqyrimin e
pagave e të shpërblimeve reale të përfituara nga sportistët. Ky projektligj u
miratua me 81 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenim.
Ndërhyrje në ligjin e tatimit të të
ardhurave
Seanca
shqyrtoi projektligjin“Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998,
“Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”. Ky projektligj solli dy ndryshime
kryesore: harmonizimin me ndryshimet ligjore të propozuara për TVSH, ku
parashikohet një rritje e pragut të TVSH nga 2 milionë Lekë qarkullim vjetor në
10 milionë Lekë dhe bërjen zero përqind të shkallës së tatimfitimit për
tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 milionë Lekë dhe 15% për tatimpaguesit
me të ardhura mbi 14 milionë Lekë, që nga 1 janari i vitit 2021. Seanca e miratoi
këtë projektligj me 82 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenim.
Paketa ligjore për kushtet e
krijuara nga pandemia. Miratohen tre projektligje
Tre projektligjet e tjera vijuese në rendin e
diskutimeve të ditës, erdhën në Kuvend si paketë e përbashkët ligjore, si
reflektim i drejtpërdrejtë i kushteve ekonomike dhe financiare të krijuara në
vend pas pandemisë. Ato synonin shtyrjen e afatit të fillimit të efekteve të ligjit
nr. 87/2019, reflektimin e këtij ndryshimi edhe në ligjin për funksionimin dhe
mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale, si edhe shtyrjen e afatit për shkëmbimin
automatik të informacionit. Me ndryshimin e
parë efektet e ligjit 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të
qarkullimit”, për transaksionet me para në dorë shtyhen nga 1 shtator 2020 në 1
shtator 2021. Lidhur me këtë ndryshim bëhet edhe
rregullimi tjetër ligjor lidhur me funksionimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve
fiskale ekzistuese deri në momentin e fillimit të efekteve të ligjit për faturën,
ndaj edhe përmes ndryshimeve përputhet afati me 1 shtatorin e 2021-t. Edhe
projektligji i tretë i paketës, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.
42/2020, “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”,
shtyn disa afate të parashikuara në ligjin përkatës mbi të cilin paraqiten
ndryshimet. Me këtë ndryshim, që reflekton edhe ndryshime të bëra nga vetë OECD
në drejtim të shkëmbimit automatik të informacionit, afati i raportimit pranë
Drejtorisë së Përgjithshme Tatimore shtyhet nga dt. 31 korrik 2020, i
parashikuar në ligj, deri më datën 15 nëntor 2020. Në përfundim të diskutimeve,
“Për
disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 4/2020, “Për shkëmbimin automatik të
informacionit të llogarive financiare” u miratua me 85 vota pro, 11 kundër dhe
4 abstenim; “Për një ndryshim në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin
e monitorimit të qarkullimit”, u miratua me 82 vota pro, 11 kundër dhe 6
abstenim; “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008
“Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”” u miratua
me 83 vota pro, 10 kundër dhe 7 abstenim.
Miratohen
edhe tre projektligje të tjera
Seanca e sotme plenare miratoi edhe tre
projektligje të tjera: ““Për disa shtesa në ligjin nr. 8743, dt. 22.2.2001, “Për
pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar””, "Për regjistrin e
pronarëve përfitues" dhe “Për shtetësinë”.
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.
8743, dt. 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar””, parashikon
dispozita për përkufizimin dhe identifikimin e bregut e detit si pronë publike,
duke garantuar mbrojtje të posaçme të bregut të detit, si një nga pasuritë me
interes të lartë publik, e cila përfshin sipërfaqen e tokës përgjatë vijës
bregdetare, që është pronë publike e patjetërsueshme. Projektligji u miratua me
80 vota pro, 12 kundër dhe 7 abstenim.
Projektligji "Për regjistrin e pronarëve përfitues",
i ardhur si rekomandim i komisionit ndërinstitucional të ekspertëve për luftën
kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, mundëson që të dhënat
e subjekteve, mbi gjashtëdhjetë e një mijë, private dhe jofitimprurëse, që më
parë regjistroheshin në QKB, tatime ose gjykatë, tani do të rregullohen me ligj
nën një regjistër të posaçëm, që do të përmbajë të dhëna të hollësishme e që do
të ndërtohet brenda tridhjetë ditëve nga AKSH-i. Ky projektligj u miratua me 85
vota pro, 10 kundër dhe 3 abstenim.
Projektligji “Për shtetësinë” adreson
të gjitha problematikat e vërejtura nga grupi ndërinstitucional i ekspertëve në
ligji ekzistues nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i
ndryshuar, që prej tyre u konsiderua i hershëm dhe që nuk i përgjigjej problematikave
të konstatuara në praktikë. Në përfundim të diskutimeve ky projektligj u
miratua me 84 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenim.
Ndërhyrje
në buxhetin e shtetit dhe masa anti-Covid përmes dy akteve normative
Seanca plenare miratoi sot edhe dy akte
normative: aktin normativ nr. 28, datë 88/2019 “Për buxhetin e
vitit 2020” të ndryshuar”” dhe aktin normativ nr. 30, datë 20.07.2020 “Për disa
shtesa dhe ndryshime në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të
Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes
së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar””.
Aktin normativ nr. 28,
datë 88/2019 “Për buxhetin e vitit 2020” të ndryshuar””, përmban disa alokime
të rëndësishme sa u takon shpenzimeve korrente dhe atyre kapitale. Ndër shpenzimet
korrente përfshihen financimi shtesë në masën 900 milionë lekë i nevojës së
NJVQV-ve për bonusin e qirasë sociale në kuadër të tërmetit të datës 26.11.2019,
deri në fund të vitit 2020; alokimi i fondit shtesë prej 400 milionë lekësh për
skemën e fermerëve; financimi në masën 400 milionë lekë të programit të ri të
anglishtes dhe IT-së për ciklin e ulët; alokimi i një fondi prej 200 milionë
lekësh, si parakusht për përthithjen e mbështetje buxhetore të BE-së në kuadër të projekteve IPA;
rritja me 200 milionë lekë e fondit të planifikuar për skemën e papunësisë,
sigurimi i organikës së mjaftueshme për strukturën e re të OFL-së prej 87
efektivësh, rritja e strukturës organike të Policisë së Shtetit me 500 efektivë
të rinj. Ndërsa, sa i takon shpenzimeve kapitale, përmenden alokimi i fondit në
masën 4 miliardë lekë për shpenzime shpronësimi dhe shlyerje detyrimesh të
prapambetura në sektorin e infrastructures; financimi shtesë prej 1 miliard
lekësh për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi; alokimi i
fondit shtesë prej 3 miliardë lekësh për FSHZH, për programe zhvillimi; alokimin
e fondit prej 2 miliardë lekësh për projektin madhor të Unazës së Re të
Tiranës; financimi i projektit të Rrugës së Ersekës, në masën 800 milionë lekë;
financimi prej 600 milionë lekësh të studim-projektimit të tunelit të
Llogarasë; financimi prej 500 milionë lekësh të studim-projektimit të
konvikteve nga Bashkia Tiranë; financimin e By-Pass-it Tepelenë, në masën 300
milionë lekë dhe akordimin e një fondi prej 573 milionë lekësh për blerjen e
pajisjeve e përshtatjen e godinës së SPAK-ut. Në përfundim të diskutimeve, ky
akt normativ u miratua me 86 vota pro, 8 kundër dhe 6 abstenim.
Akti
normativ nr. 30, datë 20.07.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në aktin
normativ nr. 3, datë 15.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e
masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit
të shkaktuar nga COVID-19” të ndryshuar””. Qëllimi i këtij ndryshimi është marrja e disa masave, që
synojnë uljen e infeksionit, që është duke u shtuar dhe duke krijuar probleme
në sistemin shëndetësor: detyrimi i mbajtjes së maskës në mjediset e mbyllura
do të shoqërohet me penalitet. Ekspertët teknikë kanë konkluduar se një nga
arsyet e shtimit është mosrespektimi i protokollit të mbajtjes së maskës. Në
përfundim të diskutimeve parlamentare, ky projektligj u miratua me 87 vota pro,
11 kundër dhe 2 abstenim.
Projektligji
i përfshirë në diskutimin parlamentar pas ndryshimit të rendit të ditës
Në fillim të seancës plenare, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, pati njoftuar vendimin e Konferencës së Kryetarëve për ndryshimin e rendit të ditës dhe përfshirjen në të të një nisme ligjore deputetësh, “Per disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish- sigurimit te shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Nisma ligjore vinte me propozimin e deputetëve Artemisa Dralo dhe Edmond Leka. Projektligji synonte rregullimin e veprimtarisë së institucionit në zbatim të detyrave të ngarkuara nga ligi 45/2015 dhe praktikave të ndeshura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale të tij, për përmbushjen me sukses të misionit të AIDSSH-së; shmangien e vështirësive të krijuara gjatë procesit të dorëzimit të dokumentacionit midis AIDSSH dhe institucioneve të tjera që administrojnë dokumente të krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të shtetit apo të lidhura me to; sanksionimin e afateve prekluzive që lidhen drejtpërdrejt me afatin kohor të verifikimit të figurave të zyrtarëve, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë të tyre; qartësimin e terminologjisë ligjore në përkufizime të termit bashkëpunëtor, anëtar i ish-Sigurimit të Shtetit, persona të zhdukur, në funksion të dhënies së informacionit të saktë për subjektet kërkuese dhe minimizimit të korrigjimit të informacioneve që rezultojnë të pasakta pas konstatimit nga vetë Autoriteti apo personat e interesuar; informimi në shkallë të gjerë, me qëllim rritjen e ndjeshmërisë publike ndaj krimeve të komunizmit ku rol parësor kanë pasur strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes aktiviteteve, botimeve, pjesëmarrjes në media dhe rrjete sociale, politikë kjo e kërkuar në vijueshmëri në Kuvend përmes Rezolutave. Seanca plenare e miratoi këtë projektligje me 95 vota pro, 10 kundër dhe 1 abstenim.