Komisioni Për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miraton ndryshimet në aktin normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”

  • Postuar më, 28/07/2020

Ne drejtimin e nënkryetares znj. Klodjana Spahiu, Komisioni Për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë mori në shqyrtim ndryshimet në aktin normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”.

Në krye të herës znj. Spahiu i uroi shërim të shpejtë kryetarit të komisionit z. Enver Roshi, i cili ditën e sotme, rezultoi pozitiv me Covid-19.
Znj. Spahiu bëri gjithashtu një apel për ndërgjegjësim qytetarëve dhe iu kerkoi atyre bashkëpunim për të ruajtur masat e vendosura për mospërhapjen e virusit në kushtet e rëndimit të situatës dhe shtimit të numrit të të infektuarve.

E pranishme për të bërë argumentimin e projektaktit ishte znj. Mira Rakacolli, zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë e cila sqaroi se akti normativ parashikon penalitete për mosrespektimin e detyrimit të mbylljes së klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdolloj shërbimi të kësaj natyre në mjedise të mbyllura ose të hapura. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me pezullim aktiviteti për një periudhë njëvjeçare.Nje parashikim tjeter i aktit normativ eshte edhe ndalimi i muzikës pas orës 20:00 në të gjitha mjediset e çfarëdolloj shërbimi. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet dënohet me gjobë 1 000 000  lekë dhe në rast përsëritjeje, me pezullim aktiviteti për një periudhë gjashtëmujore.
Në relatimin para komisionit, z. Arben Kamani shtoi  se, për të parandaluar përhapjen e këtij infeksioni është i nevojshëm edhe bashkëpunimi i qytetarëve, duke zbatuar rregullat higjieno- sanitare dhe të distancimit social, si edhe i subjekteve private që ofrojnë shërbime për qytetarët që të zbatojnë rregullimet ligjore të parashikuara në vendime, urdhra dhe udhëzime, të nxjerra nga organet kompetente, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19. Pas pyetjeve, diskutimeve dhe ngritjes së problematikave të hasura në këtë situatë shifrash të ngritura të të infektuarve, anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi ndryshimet në aktin normativ në fjalë.


Share