Komisioni për Integrimin Europian miratoi projektligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues”

  • Postuar më, 28/07/2020

28 korrik 2020

Komisioni për Integrimin Europian, nën drejtimin e nënkryetares, znj. Sedina Mesi, zhvilloi mbledhjen e radhës, ku u shqyrtua dhe u miratua projektligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”. 

Të ftuar në këtë dëgjesë ishin znj. Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë,  znj. Vasilika Vjero, zëvendësministre në këtë ministri,  znj. Pranvera Fagu, Drejtore e Përgjithshme e Qendrës Kombëtare të Biznesit, si dhe përfaqësues të këtyre institucioneve. 

Ministrja Denaj prezantoi shkurtimisht rëndësinë dhe ndryshimet në këtë projektligj të rëndësishëm . 

“Projektligji, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, lidhet drejtpërsëdrejti me krijimin e një regjistri me pronarin përfitues, me të drejtat dhe detyrimet e tij. Qëllimi është krijimi, funksionimi dhe administrimi i regjistrit të pronarëve përfitues”, u shpreh znj. Denaj. 

Znj. Fagu në fjalën e saj theksoi se me anë të këtij regjistri rregullohet procedura dhe mënyra e mbajtjes të të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues, si dhe parashikohen masat ndëshkuese në rast të mosregjistrimit të pronarëve përfitues apo mospërmbushjes së detyrimeve ligjore të përcaktuara me ligj, gjobë e cila shkon deri në 50 mijë lekë. 

Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sygjerimeve, projekligji në fjalë u miratua nga anëtarët e këtij komisioni. 

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share