Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Francës, z. Richard Ferrand, me rastin e Festës Kombëtare: Franca ndriçon popujt drejt lirive, mirëqenies, demokracisë, kushtetueshmërisë, solidaritetit dhe paqes
- Postuar më, 14/07/2020
14 korrik 2020
Kryetari
i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Presidentit të
Asamblesë Kombëtare të Francës, z. Richard Ferrand, me rastin e 14 korrikut, Festës
Kombëtare të Republikës Franceze.
“Me
rastin e 14 korrikut, Festës Kombëtare të Francës, Ju dërgoj urimet më të ngrohta të Kuvendit të
Shqipërisë dhe të miat personalisht.
Revolucioni
francez u bë një moment kthese jo vetëm në historinë e Francës, por në historinë
botërore. Franca u lartësua si atdheu i lirive dhe i të drejtave të qytetarëve
dhe vazhdon të ndriçojë dhe të influencojë popujt e botës drejt lirive, të
drejtave, mirëqenies, demokracisë, kushtetueshmërisë, sundimit të shtetit të së
drejtës, solidaritetit dhe paqes.
Franca është një
vend mik dhe partner i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën tonë drejt demokracisë,
zhvillimit, progresit dhe bashkimit me familjen europiane.
Gjej rastin që,
në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, të falenderoj
Asamblenë Kombëtare të Francës dhe Ju personalisht për mbështetjen ndaj
rrugëtimit europian të Shqipërisë. Siç jeni në dijeni, Këshilli Europian
vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe ky vendim është rezultat edhe i
mbështetjes së Presidentit Macron, Asamblesë Kombëtare dhe Tuajës personalisht.
Kuvendi
i Shqipërisë është aktualisht i angazhuar në mbështetjen e reformave të
rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma
zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit
Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues. Ne kemi besim se do të kemi edhe
mbështetjen e Asamblesë Kombëtare dhe të Francës që negociatat të çelen brenda
këtij viti dhe të fillojë sa më parë
diskutimi i kapitujve të tyre.
Duke përfunduar,
më lejoni, Zoti President, të shpreh edhe njëherë kënaqësinë se Franca po del
nga situata e pandemisë dhe populli francez po i kthehet jetës normale dhe
Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Kombëtare e Francës do të vazhdojnë
bashkëpunimin midis tyre.
Kam kënaqësinë që
t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Shkëlqesinë
Tuaj.”, shkruan në letrën e tij të urimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.