Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi seancë dëgjimore me 5 kandidatët për Kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik

  • Postuar më, 07/07/2020

7 korrik 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e sotme të zhvilluar virtualisht, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, zhvilloi një seancë dëgjimore me 5 kandidatët për Kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik, të përcjella si propozime nga Këshilli i Ministrave me VKM nr. 529, datë 3.07.2020.

Kandidatët e kualifikuar sipas pikëve ishin: z. Jonaid Myzyri, z. Nikollaq Neço, z. Klodian Gllava, znj. Arlinda Pogaj dhe z.Denis Martopullo. Relatore për komisionin ishte deputetja Klotilda Bushka.

Kandidatët paraqitën përpara deputetëve të komisionit eksperiencën dhe vizionin e tyre për drejtimin e Komisionit të Prokurimit Publik, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme të deputetëve të komisionit.

Në përfundim të seancës dëgjimore dhe pas diskutimit në komision, z. Manja parashtroi se Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut do ti propozojë seancës plenare vetëm një kandidat për votim, atë të z. Jonaid Myzyri, i cili sipas relatores dhe diskutimit të deputetëve të komision lidhur me secilin prej kandidatëve, plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, por ka dhe performancën dhe njohuritë e duhura në fushën përktaëse për të qenë Kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik. Propozimi i relatores u hodh në votim dhe u miratua nga shumica e deputetëve të pranishëm në mbledhje.

Mbledhja e sotme e komisionit, u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit Cisco Webex.


Share