Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi e më pas rrëzoi një dekret presidencial

  • Postuar më, 07/07/2020

7 korrik 2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e znj. Milva Ekonomi, shqyrtoi dhe më pas rrëzoi në mbledhjen e sotme dekretin presidencial nr.11510, dt. 15 qershor 2020, “Kthimin për rishqyrtim te ligjit nr. 62/2020 “Për tregjet e kapitalit”. Të pranishëm në mbledhjen e komisionit për paraqitjen e argumenteve të Presidencës së Republikës për dekretin në fjalë ishin z. Bledar Dervishaj, këshilltar juridik i Presidentit të Republikës dhe znj. Katrin Treskaj, drejtore e shërbimeve juridike në Presidencë. Relator për komisionin ishte deputeti i Partisë Socialiste, z. Ervin Bushati. Të pranishëm gjithashtu në mbledhje ishin znj. Vasilika Vjero, zëvendësministre e Financave dhe përfaqësues të lartë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. 

Znj. Treskaj paraqiti për komisionin arsyetimin pëkatës per kthimin dhe shqyrtimin në Kuvend të këtij ligji, që përmblidhej kryesisht përmes dhjetë argumenteve teknike në problematikë me përputhshmërinë me parimet kryesore kushtetuese si: siguria juridike, liria e veprimtarisë ekonomike, barazia përpara ligjit, me respektimin e shumicës së cilesuar për miratimin e ligjeve të parashikuara në nenin 81 pika 2 e Kushtetutës, me hierarkinë e akteve në nenin 116 të Kushtetutës dhe delegimet për rregullimin e çështjeve përmes akteve normative të parashikuara në nenin 118 pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipë Shqipërisë. Znj. Treska shprehu gjithashtu se këto mospërputhje përbëjnë si paqartësi, ashtu edhe vështirësi të zbatimit të normës juridike në zbatimin në mënyrë të njëjtë dhe të barabartë.

Relatori për komisionin, z. Ervin Bushati, u shpreh që argumentet për këtë projektligj, përkundër dekretit, janë të njëjtat me miratimin e eurobondit dhe mbi politikat fiskale. Sipas z. Bushati, ky ligj, si buxheti I shtetit dhe financat publike, janë prerogativë të mazhorancës dhe qeverisjes  e në përputhje me Kushtetutën  dhe çdo ligj tjetër që kemi në fuqi. Sipas z. Bushati, çdo vonesë e këtij ligji sjell dëme e se Shqipëria gjendet në nevojë për likujditet dhe forma financiare të zhvillimit. Pikërisht ky ligj paraqet një forme efikase për të rritur ekonominë përmes zhvillimit të tregjeve ekonomike, duke përbërë në thelb një alternativë alternative ekonomike për zhvillimin ekonomik të vendit dhe duke qenë në përputhje me disa direktiva të BE-së.

Në përfundim të diskutimeve dhe pas pyetjeve të anëtarëve të komisionit, dekreti presidencial u rrëzua me shumicë votash. Mbledhja e sotme e komisionit, në vijim të masave protokollare anti-Covid, u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit Cisco Webex.



Share