Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dy akte normative

  • Postuar më, 07/07/2020

7 korrik 2020 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit z. Niko Peleshi, në mbledhjen virtuale të radhës, shqyrtoi dy akte normative të Këshillit të Ministrave, që lidhen me masat e marra nga qeveria për përballimin e situatës së pandemisë dhe efektit të saj në turizëm.

Fillimisht u shqyrtua Akti Normativ nr.26, datë 10.06.2020 “Për marrjen e masave të përkohshme për mbështetjen e sektorit të turizmit”, i cili u prezantua nga z.Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua për komisionin nga deputeti Ilir Beqaj. 

Ministri Klosi sqaroi se Akti normativ përcakton masat e veçanta që do të merren në sektorin e turizmit për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre në ofrimin e një shërbimi turistik, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësië natyrore të shkaktuar nga COVID-19, me qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit, si dhe parashikon rregulla për operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, si dhe klientët e tyre. Z.Klosi u shpreh se në të gjitha vendet e rajonit është bërë e njëjta procedurë, duke shtuar se: “ka qenë një ndër kërkesat e para që kanë pasur operatorët turistikë, të cilët në fillimin e pandemisë, kur dhe situata ishte ende e paqartë u gjendën përballë një presioni shumë të madh nga klientët, të cilit kishin prenotuar pushimet e tyre, madje kishin paguar një pjesë të pushimeve apo gjithë pushimet”.  Ai shtoi se Akti Normativ nuk ka efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit dhe brendia e tij është vendosja e një raporti të munguar kontraktor midis klientëve dhe kompanive turistike.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim dhe në tërësi Aktin Normativ duke e kaluar për shqyrtim në seancë plenare.

Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e Aktit normativ nr. 24, datë 27.05.2020, “Për një shtesë në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar””, i cili u prezantua nga znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Znj.Rakacolli sqaroi se në kushtet e pandemisë COVID-19, qeveria shqiptare po i kushton një kujdes të veçantë marrjes së masave për mbrojtjen e shëndetit publik në përgjithësi dhe mbrojtjen e shëndetit të turistëve që do të frekuentojnë plazhet. “Padyshim që një turizëm i sukseshëm është i ngushtësisht i lidhur me një siguri shëndetësore, e cila jepet në dy mënyra: duke siguruar kushtet higjeno-sanitare të favorshme dhe së dyti duke krijuar mundësi për të ofruar shërbim shëndetësor cilësor në kohë dhe afër zonave turistike”, u shpreh znj.Rakacolli.

Më tej ajo parashtroi se në kuadër të mbrojtjes së shëndetit publik janë miratuar akte të ndryshme që parashikojnë rregullime, masa higjieno-sanitare dhe protokolle që duhen zbatuar nga subjektet gjatë ushtrimit të veprimtarise së tyre. Nëpërmjet këtij Akti normativ parashikohet që subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit dhe nuk respektojnë rregullat dhe protokollet e nxjerra nga organet kompetente, të gjobiten me 700 000 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje do t’iu mbyllet veprimtaria nga inspektoratet përgjegjëse. Pas diskutimeve, komisioni miratoi në parim dhe në tërësi aktin normativ në fjalë dhe ia kaloi për miratim seancës plenare.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.



Share