Komisioni për Sigurinë Kombëtare shqyrtoi ndryshimet në Ligjin “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”.

  • Postuar më, 07/07/2020

Në drejtimin e kryetares znj. Ermonela Felaj, Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e sotme, zhvilluar on line, mori në shqyrtim projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik  të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar””.  Për të bërë një përmbledhje shpjeguese të projektatit , e ftuar në komision ishte znj. Rovena Voda, zëvendësministre në Ministrinë e Brendshme. Për sa i përket përmbajtjes, znj. Voda sqaroi se propozimi ka të bëjë me letërnjoftimin elektonik për shtetasit që kanë mbushur moshën 75 vjeç, të lëshohet pa afat. “Ky projektligj, propozohet me qëllim zgjidhjen e problematikave me të cilat ndeshen shtetasit shqiptarë. I referohemi kategorisë së personave mbi 75 vjeç” nënvizoi znj. Voda. Relatorja e projektatit, znj. Antoneta Dhima, nga ana e saj theksoi se,  për të shmangur kostot e panevojshme që deri më tani kanë rënduar mbi këtë kategori shtetasish, propozojmë që afati për dokumentin letërnjoftim për shtetas të moshës mbi 75 vjeç të jetë pa afat vlefshmërie, pra për aq kohë sa janë në jetë.
Anëtarët vijuan me pyetje dhe diskutime rreth projektit të paraqitur dhe shqyrtimin e tij, do e vijojnë edhe në mbledhjen e radhës.

Mbledhja  u zhvillua përmes platformës së komunikimit online Cisco Webex.


Share