Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi tre akte normative dhe raportin e Komisionit të Pavarur të Koordinimit, Monitorimit dhe Ndjekjes së Zbatimit të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”

  • Postuar më, 06/07/2020

6 korrik 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e sotme të zhvilluar virtualisht, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja, shqyrtoi tre akte Normative, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore lidhur me raportimin vjetor të Komisionit të Pavarur të Koordinimit, Monitorimit dhe Ndjekjes së Zbatimit të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” për vitin 2019.

Në nisje të mbledhjes, kryetari i komisionit z.Manja, bëri të ditur se në kalendarin e punimeve të komisionit për periudhën 6-24 korrik 2020 është parashikuar edhe shqyrtimi i projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” , nismë e 7 deputetëve të grupit parlamentar socialist, i cili në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores do të nisë shqyrtimin pas datës 15 korrik 2020.

Më tej komisioni vijoi punimet me shqyrtimin e 3 akteve normative të Këshillit të Ministrave. I pari ishte Akti Normativ nr.24, datë 27.05.2020 “Për një shtesë në Aktin Normativ nr.3, datë 15.03.2020, të Këshillimit të Ministrave “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar, i cili u prezantua nga znj.Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe znj.Romina Kuko, zëvendësministre e Brendshme. Për komisionin, akti normative u relatua nga deputeti Bashkim Fino.

Znj.Rakacolli sqaroi se Akti Normativ propozohet me qëllim zgjidhjen e problematikave me të cilat ndeshen shtetasit shqiptarë, në kushtet e krijimit të situatës së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë duke synuar të mbrohet shëndeti i turistëve në zonat e plazheve nga infeksioni Covid-19, si edhe mjedisin.  Subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit dhe që nuk respektojnë rregullat dhe protokollet e sigurisë, të nxjerra nga organet kompetente, do të penalizohen me 700 000 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje do tu mbyllet aktiviteti. Znj.Kuko shtoi se shumë shpejt do të nisë puna në terren për inspektimet, të cilat do të koordinohen nga prefektët e qarqeve. Pas diskutimeve, komisioni miratoi aktin normativ në fjalë dhe ia kaloi për miratim seancës plenare.

Më tej u shqyrtua Akti Normativ nr.25, datë 10.06.2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letënjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”, I cili u prezantua nga znj.Rovena Voda, zëvendësministre e Brendshme dhe u relatua nga deputetja Elena Xhina. Akti normativ parashikon se afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që përfundon brenda vitit 2020, zgjatet deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga përhapja e COVID-19. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi Aktin Normativ në fjalë.

I fundit ishte Akti Normativ nr.26, datë 10.06.2020 “Për marrjen e masave të përkohshme për mbështetjen e sektorit të turizmit”, i cili u prezantua nga znj.Enerjeta Tarelli, drejtoreshë juridike në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe u relatua për komisionin nga deputetja Aurora Mara. 

Akti normativ përcakton masat e veçanta që do të merren në sektorin e turizmit për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre në ofrimin e një shërbimi turistik, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësië natyrore të shkaktuar nga COVID-19, me qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit, si dhe parashikon rregulla për operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit, si dhe klientët e tyre. 

Znj.Mara gjatë relatimit u përqëndrua tek nevoja dhe urgjenca e këtij Akti Normativ. Pas diskutimeve  ky akt u miratua me votat e anëtarëve të pranishëm dhe iu përcoll për votim seancës plenare.

E fundit në rendin e ditës ishte raportimi vjetor i Komisionit të Pavarur të Koordinimit, Monitorimit dhe Ndjekjes së Zbatimit të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe shqyrtimi i projektvendimit për përfundimin e veprimtarisë së këtij komisioni. I pranishëm në mbledhjen e komisionit ishte z.Artan Spahiu, kryetar i këtij komisioni, anëtarët e komisionit,  si dhe përfaqësues nga misioni EURALIUS.

Z.Spahiu paraqiti raportin e veprimtarisë së këtij komisioni për periudhën nëntor 2018-shkurt 2020, duke e parashtuar në dy drejtime kryesore:monitorimi i proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe zgjedhjeve së anëtarëve të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të zhvilluara pas konstituimit të komisionit; si dhe koordinimit midis institucioneve dhe organeve që Kushtetuta dhe ligji nr.115/2016 i ngarkon me  detyra  konkrete në ngritjen e organeve të sistemit të drejtësisë. Z.Spahiu bëri të ditur se pas ngritjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, organi i fundit nga 5 që parashikoheshin të konstituoheshin në bazë të ligjit “ Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” komisioni e ka mbaruar detyrën e tij. Z.Spahiu paraqiti disa nga problematikat e hasura dhe rekomandimet që janë dhënë nga komisoni për zgjidhjen e tyre. 

Pas diskutimeve Komisioni miratoi raportin e veprimtarisë së Komisionit të Pavarur të Koordinimit, Monitorimit dhe Ndjekjes së Zbatimit të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” si dhe projektvendimin për përfundimin e veprimtarisë së këtij komisioni dhe e kaloi për miratim në seancën plenare.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.



Share