Komisioni për Ekonominë dhe Financat monitoroi nga afër situatën ekonomike të dy bashkive të qarkut Vlorë

  • Postuar më, 06/07/2020


6 korrik 2020

 

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, zhvilloi një vizitë dyditore në qarkun e Vlorës për të vlerësuar dhe monitoruar nga afër situatën ekonomike në dy prej bashkive të këtij qarku. Në fokus të kësaj vizite ishin problematikat ekonomike dhe çështjet e zhvillimit në bashkinë e Selenicës dhe bashkinë e Vlorës, si edhe ndikimi i pandemisë në bashkitë përkatëse dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik të bashkive të vizituara. 

Ditën e parë komisioni vizitoi bashkinë e Selenicës. Në këtë takim u diskutuan me kryetarin e bashkisë dhe qytetarët e zonës problemet e zhvillimit ekonomik. Të pranishmit ngritën kërkesën për rritjen e përqindjes së të ardhurave nga renta mierare, e cila i kalon pushtetit lokal si një mundësi për të zhvilluar ekonominë e bashkisë së Selenicës. Gjithashtu, në këtë takim u kërkua edhe një mbikëqyrje më e mirë e kompanive dhe mënyrës së zbatimit të lejeve për shfrytëzimin e minerareve. Më pas, komisioni inspektoi ecurinë e punimeve për ndërtimin e Rrugës së Lumit të Vlorës.

Ditën e dytë komisioni vizitoi Portin e Vlorës, ku u interesua për veprimtarinë e portit gjatë periudhës së pandemisë, si edhe diskutoi lidhur me mundesitë e zhvillimit për të ofruar më tepër shërbime. Po ashtu, komisioni kërkoi informacion nga drejtori i degës doganore në Portin e Vlorës mbi ndikimet e pandemisë në të ardhurat doganore. Në vijim, komisioni zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Vlorës z.Dritan Leli, i cili informoi komisionin për masat e marra nga bashkia në mbështetje të bizneseve për të lehtësuar efektet financiare shkaktuar nga pandemia.






Share