Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi në parim projektligjin “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë"

  • Postuar më, 03/07/2020

3 korrik 2020 

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit z. Niko Peleshi, në mbledhjen virtuale të radhës, vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”. I pranishëm në mbledhjen e komisionit për të dhënë sqarime rreth këtij projekt-akti ishte z.Artan Shkreli, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Edlira Kraja, Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, si dhe përfaqësues të MIE. Për komisionin projekt-akti u relatua nga deputetja Eglantina Gjermeni. Në mbledhjen e mëparshme ishtë bërë prezantimi i projektligjit dhe në këtë seancë u vijua me pyetje dhe diskutime në parim dhe nen për nen të tij.

Z. Shkreli shpjegoi se Kodi i ri nuk radikalizon atë ekzistues, por e përmirëson në shumë pika, si: arrihet të formalizohet bashkëpunimi mes institucioneve të ndryshme brenda dhe jashtë transportit ajror (civil), me qëllim të menaxhimit të hapësirës ajrore në mënyrë të sigurtë; i krijon mundësi Autoritetit të Aviacionit Civil, si institucioni mbikëqyrës për aviacionin civil në Shqipëri, të realizojë funksionet e tij nga ana ligjore, të mirërregulluara me miratimin e këtij projektligji.

Pas diskutimeve, në mbledhjen e sotme komisioni miratoi në parim projekligjin, si dhe shqyrtoi vetëm 20 nene të tij.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.


Share