Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndet 130 vjetorin e themelimit të Unionit Ndërparlamentar: Parlamentet, punishte e shtylla të demokracisë

  • Postuar më, 30/06/2020

30 qershor 2020

Sot, më 30 qershor, Unioni Ndërparlamentar kremton 130 vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, i cili përkon me Ditën Ndërkombëtare të Parlamentarizmit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, njëkohësisht Kryetar i delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Unionin Ndërparlamentar, i ështe drejtuar kësaj organizate me një mesazh përshëndetës.

“Dita Ndërkombëtare e Parlamentarizmit në 130 vjetorin e Unionit Ndërparlamentar  është një ngjarje e rëndësishme për demokracinë dhe paqen në botë.Trembëdhjetë dekadat e këtij bashkimi të gjerë, më e madhja organizatë ndërparlamentare në botë, janë një kontribut thelbësor për zhvillimin dhe nxitjen e valëve të demokratizimit në të gjithë globin. Unioni Ndërparlamentar  është një faktor i fuqishëm i globalizimit dhe solidaritetit midis kombeve. Parlamentet kanë shërbyer e shërbejnë si punishte e shtylla të demokracisë si edhe nxitës të drejtësisë sociale. Kuvendi i Shqipërisë është një anëtar aktiv i Unionit Ndërparlamentar, në shërbim të bashkëpunimit parlamentar, mirëkuptimit, harmonisë, sigurisë dhe paqes midis popujve.”, shkruan në përshëndetjen e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.



Share