Aleanca e Grave Deputete organizoi një sesion trajnimi “Përfaqësimi dhe lidership-i në kohë krize. Komunikimi me zgjedhësit: Mësime nga pandemia Covid-19”

  • Postuar më, 29/06/2020

 

Aleanca e Grave Deputete organizoi ditën e sotme një sesion trajnimi online me temë “Përfaqësimi dhe lidership-i në kohë krize. Komunikimi me zgjedhësit: Mësime nga pandemia Covid-19”. Të pranishme në këtë trajnim online ishin gra deputete pjesë e Aleancës së Grave Deputete.

Trajnimi u përshëndet nga Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë znj. Yuri Kim, zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi dhe znj. Elona Gjebrea Hoxha zëvendëskryetare e Aleancës. Ky sesion trajnimi u drejtua nga dy lektore znj. Karolina Leakovic (Deputete në Parlamentin e Kroacisë) dhe znj. Frieda Arenos (Menaxhere Programi NDI Washington).

Znj. Edlira Çepani, koordinatore kombëtare e Rrjetit të Grave Barazi në Vendimmarrje theksoi se janë bërë hapa të rëndësishme për të rritur numrin e grave në vendimmarrje dhe se gratë kanë nevojë për mbështetje dhe prandaj nisi dhe Akademia e Lidership-it për të mbështetur gratë deputete.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj. Yuri Kim gjatë fjalës së saj përshëndetëse theksoi se gratë deputete duhet të shfrytëzojnë këtë Akademi për të ndërtuar rrjetin e tyre sepse ky është një aspekt i rëndësishëm për të bërë ndryshime. Gjithashtu, znj. Kim nënvizoi se është e rëndësishme që gratë deputete të qëndrojnë të lidhura.

 

Zëvendëskryetarja e Kuvendit znj. Vasilika Hysi shprehu mirënjohjen për këtë mundësi dhe se ky takim është i rëndësishëm për shkak të situatës së shkaktuar nga Covid -19. Gjatë fjalës së saj, ajo nënvizoi se Parlamenti shqiptar reagoi në mënyrë të menjëhershme për të punuar online. Fokusi i Parlamentit ka qenë miratimi i disa akteve të lidhura me të miturit, gratë, viktimat e dhunës në familje kanë qenë prioriteti ynë. Znj. Hysi theksoi se parlamenti shqiptar ka qenë modeli më i mirë në rajon.

Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Elona Gjebrea Hoxha, zëvendëskryetare e Aleancës së Grave Deputete shprehu se si rezultat i bashkëpunimit mes grave deputete u miratua Kalendari i Veprimtarisë së AGD-së për vitin 2020 dhe Programi i Veprimit “Për një Parlament të Ndjeshëm Gjinor”. Znj. Gjebrea nënvizoi se këtë vit, Aleanca me punën e saj do të mbështesë nëpërmjet objektivave të qarta masat për dhunën në familje, fuqizimin ekonomik të grave, dhe pse jo edhe përfshirjen e burrave. Gjithashtu në fjalën e saj znj. Gjebrea u ndal në çështjen e kuotave gjinore duke cilësuar se kuotat gjinore janë të rëndësishme në vende si yni ku lufta me burrat është një sfidë.

Trajnimi vijoi më tej në trajtimin e temës së parë  “Përshtatjet e reja parlamentare gjatë Covid -19nën drejtimin e ekspertes Frieda Arenos e cila u ndal në disa çështje si: ndikimi i Covid-19 tek gratë, rëndësia e komunikimit në kohë krize, mënyrat e komunikimit në Covid-19, planifikimi strategjik i komunikimit etj.

Në pjesën e dytë, trajnimi vijoi me trajtimin e temës: “Gratë deputete dhe përgjegjshmëria gjinore në kuadër të pandemisë COVID-19” nën drejtimin e deputetes kroate znj. Karolina Leakovic. Gjatë këtij sesioni znj. Leakovic u ndal në legjislacionin dhe zhvillimin e politikave gjatë Covid-19 dhe gratë e deputetëve dhe organizimi i komunitetit në pandeminë COVID-19.

Më pas trajnimi vijoi me një sesion pyetjesh dhe përgjigjesh mes lektoreve dhe grave deputete gjatë të cilit gratë deputete shkëmbyen eksperiencat dhe sfidat e tyre për punën parlamentare gjatë periudhës së Covid -19.

Ky trajnim online u organizua me mbështetjen e Rrjetit të Grave Barazi në Vendimmarrje në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI) dhe mbështetjen e Ambasadës Amerikanë në Tiranë. Trajnimi online u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.

 

 


Share