Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi një projekt-rezolutë dhe zhvilloi seancë dëgjimore me Avokaten e Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të GjEDNj për vitin 2019

  • Postuar më, 29/06/2020

29 qershor 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e sotme të zhvilluar virtualisht, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z.Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, miratoi projekt-rezolutën për veprimtarinë e Komisionit të Prokurimit Publik, për vitin 2019, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore me znj.Enkelejda Muçaj, Avokate e Përgjithshme e Shtetit, e cila raportoi lidhur me ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNj) për vitin 2019.

Znj.Enkelejda Muçaj, paraqiti para deputetëve të komisionit në mënyrë të përmbledhur raportin, i cili përmban informacion për punën e Avokaturës së Shtetit lidhur me ekzekutimin e vendimeve  të GjEDNj-së, çështjet që janë në procedurë ekzekutimi, raportimet në Komitetin e Ministrave të KiE-së dhe masat e marra për ekzekutimin e këtyre vendimeve.

Në raport citohet që përgjatë periudhës korrik 2019-qershor 2020, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka dalë me 4 vendime për Shqipërinë, me anë të të cilëve ka vendosur mospranimin e kërkesave për 12 ankesa, nxjerrjen e çështjes jashtë liste për 1 kërkesë tjetër, si dhe pranimin e 2 ankesave të tjera. Znj.Muçaj u ndal në mënyrë të veçantë në vendimin e datës 07.05.2020 të GjEDNj, lidhur me çështjen “Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 kërkesa të tjera, ku Gjykata i ka refuzuar dhe i ka deklaruar të papranueshme kërkesat, pasi kërkuesit mund të gjejnë zgjidhje në sistemin e brendshëm, ndërsa 1 kërkesë është ekzekutuar tashmë.  Sipas znj.Muçaj, me vendimin për çështjen “Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 kërkesa të tjera” GjEDNj e konsideroi ligjin 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompenimit të pronës”, si mjet efektiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve në këtë fushë dhe që kërkuesit duhet ta përdorin përpara se t’i drejtohen GjEDNj-së. Raporti u relatua nga deputetja Klotilda Bushka. Më pas Avokatja e Përgjithshme e Shtetit iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me faturën financiare për vendimet e marra nga GjEDNj, çështjet që janë në procedurë ekzekutimi, raportimet në Komitetin e Ministrave të KiE-së, etj.

Më tej komisioni vijoi punimet me shqyrtimin e projekt-rezolutës së vlerësimit të veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik, për vitin 2019, e cila u relatua nga deputeti Adnor Shameti. Pas diskutimeve dhe sygjerimeve lidhur me rekomandimet që Kuvendi do të vendosë për tu përmbushur nga ky institucion përgjatë vitit 2020, komisioni e miratoi projekt-rezolutën dhe ia kaloi për miratim seacës plenare. Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex.

 

 


Share