Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi dy projektrezoluta, Raportin për veprimtarinë 1-vjeçare të AMA-s dhe veprimtarinë 1-vjeçare të RTSH-së për vitin 2019

  • Postuar më, 26/06/2020

 

26 qershor 2020

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në drejtimin e kryetarit, z. Ramazan Gjuzi, zhvilloi seancën online, ku u miratuan dy projektrezoluta të parashtruara për shqyrtim. E para kishte të bënte me  diskutimin e Projektrezolutës për Raportin për veprimtarinë 1-vjeçare të AMA-s për vitin 2019, më pas u  diskutua Projektrezoluta për Raportin për veprimtarinë 1-vjeçare të RTSH-së për vitin 2019.

Në fillim të seancës, deputetja Vilma Bello, relatore në këtë seancë, prezantoi projektrezolutën ku vlerësoi punën e AMA-s për gjatë 2019, e cila vlerëson standartet, nxitë energji dhe angazhim për përmirësimin e punës së mëtejshme. Projektrezolutë e cila u miratua nga anëtarët e komisionit.

Pika e dytë e rendit të ditës vijoi me prezantimin e projektrezolutës për veprimtarinë 1-vjeçare të RTSH-së për vitin 2019, prezantuar sërisht nga relatorja Bello.

“Projekterezoluta për raportin e veprimtarisë së RTSH plotëson kriteret dhe shërbimet e monitorimit kanë pasqyruar problematikat thelbësore. Si relatore propozoj shtimin e një pike në rezolutë pas pikës 9,  ku të ketë një angazhim në krijimin e më shumë hapsirave, më shumë debateve dhe biseda që lidhen me përdorimin korrekt të gjuhës së shkruar dhe standarte të shqipes”.

Nënkryetarja e këtij komisioni znj. Mirela Kumbaro propozoi që  kanali i RTSH Kuvend, të ketë më shumë hapsirë, duke qenë më shumë aktiv dhe t’u vijë në ndihmë deputetëve dhe Kuvendit, ku të pasqyrojë jo vetëm seancat por dhe dokumentarë, intervista, reportazhe, duke sjellë këtu dhe një paralelizëm me vendet fqinjë.

Pas diskutimeve dhe shqyrtimeve, mes anëtarëve të këtij komisioni edhe kjo projektrezolutë u miratua.

 


Share