Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi eurobondin për 2020-n

  • Postuar më, 02/06/2020

2 qershor 2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, në mbledhjen e sotme virtuale shqyrtoi projektligjin “Për Eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”. E pranishme në komision për paraqitjen e projektligjit ishte ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, znj. Anila Denaj.

Znj. Denaj përshkroi përmbajtjen e projektligjit për komisionin. Përmes këtij projektligji marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për emetimin e instrumentit “Eurobond” në formën thelbësisht sipas teksteve që i bashkëlidhen projektligjit, lejohen ndër të tjera parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti. Ky projektligj bën të mundur miratimin e përjashtimeve nga tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe çdo tatim tjetër në Republikën e Shqipërisë për çdo transaksion dhe për të gjitha veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen dhe tregtimin e eurobondit, duke përfshirë në këtë përjashtim mbajtësit e titujve eurobond, si dhe menaxherët bashkëdrejtues. Gjithashtu, në prezantimin e bërë nga ministrja Denaj, u mësua se procesi do të ndiqet deri në daljen e eurobondit në tregjet ndërkombëtare nga ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin.

“Emetimi i këtij instrumenti është në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit Publik, të hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Eurobondi do të jetë me madhësi deri në 650 milionë euro dhe me maturim 7 deri 10 vite”,- bëri me dije për komisionin ministrja Denaj, që iu përgjigj interesit të deputetëve lidhur me çështje të tjera të eurobondit. Në përfundim të diskutimeve, komisioni e miratoi këtë projektligj. Mbledhja e sotme, në vijim të masave të posaçme në kuadër të pandemisë, u zhvillua online përmes platformës së komunikimit elektronik Cisco Webex. 


Share