Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi ndryshimet në ligjin për shërbimin veterinar

  • Postuar më, 02/06/2020

2 qershor  2020

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në drejtimin e kryetarit Niko Peleshi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi sot dy projektligje të rëndësishme. Rendi i ditës nisi me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10465, dt 20.09.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”.

Të pranishëm në mbledhjen virtuale ishin znj. Ermira  Gjeçi (Rusi),  zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural,  z. Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, si dhe përfaqësues të grupeve të interesit, të cilët më herët kishin paraqitur propozime dhe sugjerime konkrete për ndryshime të neneve të caktuara.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi ndryshimet ligjore të propozuara. Kryetari i Komisionit, z.Niko Peleshi e vlerësoi si një projektligj tepër të rëndësishëm, që do të shërbejë për reformimin e shërbimit veterinar, por dhe do të krijojë perspektivë të re për misionin dhe rivlerësimin e profesionit të veterinerit.

Më tej u vijua me shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse të rinovueshme për transport”, ku të ftuar ishin përfaqësues të grupeve të interesit, si dhe z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe z.Ilia Gjermani, drejtor në këtë ministri. Shqyrtimi i këtij projektligji do të vijojë në mbledhjen e ardhshme, ku do të jetë të pranishëm edhe grupet e interesit .

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex. 


Share