Guvernatori i Bankës së Shqipërisë raportoi në Kuvend për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë përgjatë vitit 2019

  • Postuar më, 01/06/2020

1 qershor 2020

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, raportoi sot në mbledhjen virtuale të komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, të drejtuar nga kryetarja Milva Ekonomi, lidhur me veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë përgjatë vitit 2019 dhe sa u takon përmbushjes së rekomandimeve të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë në raportin e vitit paraardhës. Raporti i z. Sejko prekte edhe një sërë çështjesh të tjera: politikat monetare, operacionet monetare, stabilitetit financiar dhe politika makroprudenciale, mbikëqyrja, ndërhyrja e jashtëzakonshme, emetimi i monedhës, sistemet e pagesave, administrimi i rezervës valutore, statistikat, puna kërkimore e institucionit, dhe çështje që lidhen me integrimin evropian e bashkëpunimin ndërkombëtar. Z. Sejko u ndal edhe në çështje si auditimi i brendshëm i institucionit, burimet njerëzore dhe strategjia afatmesme 2020-2022 e Bankës së Shqipërisë. Guvernatori Sejko iu përgjigj interesit dhe pyetjeve të deputetëve të komisionit lidhur me ndikimin e pandemisë në politikat bankare. Për komisionin, lidhur me raportin vjetor të vepritmarisë për vitin 2019, relatoi deputetja Blerina Gjylameti.

Z. Sejko, duke e cilësuar si goditje të fortë për ekonominë dhe financat, u ndal te pandemia globale dhe efektet e pritshme të saj në ekonomi. Ai u shpreh se ekonomia shqiptare i ka premisat e përballimit, por devijon vetëm përkohesisht nga rritja e qëndrueshme dhe afatgjatë. Sipas guvernatorit kërkohet reagim i vendosur dhe i koordinuar nga autoritetet publike dhe fleksibilitet dhe kurajë nga sektori privat, për ta minimizuar koston e pandemisë. Përhapja e pandemisë e ka ndryshuar perspektivën për të ardhmen ekonomike, por sipas z. Sejko janë marrë masat e menjëhershme për të krijuar bazë të qëndrueshme për rikuperim të ekonomisë sa i takon vitit 2020. 

Sa i takon vitit 2019, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se tërmetet e muajve shtator dhe nëntor të vitit të shkuar e ndikuan rritjen ekonomike, ashtu si edhe rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe rënia e ndërtimtarisë përgjatë vitit 2019, që shënuan rritjen ekonomike në nivelin 2.2%, duke ardhur me rënie nga niveli 4.1 % në vitin paraardhës. Pavarësisht ngadalësimit, për z. Sejko kjo nuk e shmangu trendin pozitiv të shprehur sidomos në reduktim të normës së papunësisë, e zbritur në minimum historik 11.2%. Treguesit e sektorit bankar, për guvernatorin Sejko, janë në nivele të kënaqshme.

Raporti i paraqitur në Kuvend shpreh se treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit kanë ardhur në përmirësim, përgjatë vitit 2019 deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti buxhetor u reduktuan, treguesit e qëndrueshmërisë së borxhit të huaj u përmirësuan, ndërsa borxhi publik shënoi rënie. Stabiliteti financiar i vendit, sipas këtij raporti, është forcuar, sistemi financiar shfaqet i qëndrueshëm dhe sektori bankar karakterizohet nga tregues në përmirësim të kapitalit, të likuiditetit, dhe të përfitueshmërisë përsa i përket vitit 2019. Analizat e rezistencës, në këtë raport, sugjerojnë se ky sektor ka rritur aftësinë e tij për përballimin e goditjeve, duke garantuar një kontribut të qëndrueshëm në zhvillimin e vendit. Z. Sejko u ndal edhe te përmbushja e rekomandimeve të Kuvendit të Shqipërisë sa i takon vitit paraardhës, duke e cilësuar pozitive ecurinë. Në përfundim të diskutimeve, komisioni vendosi t’i dërgojë për miratim projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë seancës plenare, për vitin 2019. Edhe mbledhja e sotme e komisionit, në vijim të zbatimit të masave të posaçme anti-Covid 19, u zhvillua përmes platformës elektronike të komunikimit Cisco Webex. ?




Share