Njoftim shpallje për vendin vakant për pozicionin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

  • Postuar më, 28/05/2020

Kuvendi në datën 18.12.2019 me Vendimin Nr. 148/2019, në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës, të nenit 47 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë” dhe të nenit 115 të Rregullores së Kuvendit, ka vendosur shkarkimin e Zotit Arben Malaj nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në këto kushte, duke qenë se kandidatura e z. Malaj ka qenë propozuar nga Kuvendi, Kuvendi ka detyrimin ligjor për të bërë plotësimin e vendit vakant për postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

 

Komisioni përgjegjës për shqyrtimin e kandidaturave për postin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, është Komisioni për Ekonominë dhe Financat.

 

Në lidhje me procesin e prezantimit të kandidaturave dhe për të vijuar më pas me procedurat e parashikuara nga Ligji nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë” njoftohen të gjithë personat e interesuar se:

 

Kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të jenë persona që gëzojnë ndershmërinë dhe pastërtinë morale, si dhe kanë:

 

a) arsimin e lartë ekonomik ose juridik;

b) përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare;

c) kualifikime profesionale të profilit;

ç) përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare;

d) të mos kenë pengesa të parashikuara në nenin 47 të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”.

 

Sipas nenit 47 të Ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”:

 

-        Çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohet nga Kuvendi, në qoftë se ai ose ajo:

o   a) është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas nenit 46;

o   b) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;

o   c) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;

o ç) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

o   d) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike

 

Çdo vend vakant në Këshillin Mbikëqyrës plotësohet me emërimin e anëtarit të ri të Këshillit Mbikëqyrës, i cili e ushtron këtë funksion brenda afatit të mbetur të anëtarit që ka zëvendësuar.

 

Kandidatët bashkëlidhur me dokumentacionin që provon përmbushjen e kritereve ligjore dhe mungesën e rrethanave që përbëjnë ndalim për kandidim, duhet të dorëzojnë të plotësuar dhe të nënshkruar edhe:

-        formularin e vetë deklarimit, sipas përcaktimeve të Ligjit nr.138/2015 “Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike” si dhe

-        formularët e vetë deklarimit, sipas parashikimeve të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, miratuar nga “Autoriteti për Informim mbi dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”.

 

Dokumentacioni dorëzohet pranë Zyrës së Protokollit të Kuvendit.

 

Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është ora 16.00 e datës 16.06.2020.

 

Pas këtij orari, të gjitha aplikimet e depozituara do t’i përcillen Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, i cili në cilësinë e Komisionit përgjegjës dhe duke ju referuar CV-së dhe dokumentacionit shoqërues, brenda afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit, merr në shqyrtim përmbushjen e kritereve ligjore dhe meritën e çdo kandidature.

 

 

 

Shpallur në datë 27.05.2020


Share