Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi dy projektligje

  • Postuar më, 26/05/2020

26 maj 2020

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit të komisionit, z. Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, në mbledhjen e sotme shqyrtoi dhe miratoi dy projektligje: "Për miratimin e huamarrjes prej 139 300 000 SDR-sh që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)" dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.

Për të prezantuar projektligjin e parë ishte e ftuar znj. Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, e cila sqaroi se qëllimi i projekt-aktit është miratimi i një huaje nga Fondin Monetar Ndërkombëtar nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI), për të përballuar një pjesë të nevojave për financim të buxhetit të shtetit për vitin 2020, të cilat janë jashtë parashikimeve fillestare për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.  Ministrja bëri të ditur se brenda muajit qershor do të bëhet një rishikim i dytë i buxhetit, si dhe do të bëhet publike platforma e rimëkëmbjes ekonomike.

Deputeti Bashkim Fino gjatë relatimit të tij theksoi se kjo hua që do të merret nga FMN është tepër e rëndësishme pasi është në një “monedhë të fortë” (SDR), e cila do të injektohet në ekonomi nëpërmjet buxhetit të shtetit për të mbuluar programet e rimëkëmbjes ekonomike të parashikuara nga qeveria për përballimin e situatës së krijuar në ekonomi nga pandemia. Në përfundim të diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga anëtarët e komisionit.

Ndërkohë për prezantimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””, ishin të ftuar znj. Ermira Gjeçi (Rusi), zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe z. Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri. Relatorë të projektligjit ishin deputetët Edlira Bode dhe Edmond Leka.  Znj. Gjeçi bëri të ditur se ky ndryshimet ligjore propozohen në kuadër të  zbatimit të reformës së shërbimit veterinar dhe plotësimit të kuadrit ligjor për unifikimin e shërbimit veterinar, duke mundësuar kalimin e kompetencave e të funksioneve të shërbimit veterinar të vetëqeverisjes vendore në strukturën e shërbimit veterinar në MBZHR, pasi, me miratimin e ligjit nr.139/2015, ”Për vetëqeverisjen vendore”, njësitë e qeverisjes vendore nuk i kanë më këto funksione. Pas diskutimeve,projektligji në fjalë u miratua në parim dhe në tërësi.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale  Cisco Webex.



Share