Komisioni për Ekonominë dhe Financat zhvilloi dëgjesën e një raportimi vjetor, miratoi një projektrezolutë dhe miratoi një projektligj

  • Postuar më, 23/05/2020

22 maj 2020


Në komisionin për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, në mbledhjen e sotme u zhvillua raportimi për veprimtarinë e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2019. Mbledhja e sotme, gjithashtu miratoi projektrezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019, si edhe shqyrtoi dhe miratoi  projektligjin për “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Prezantimin e raportit vjetor të veprimtarisë së ASD-së e bëri drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, z. Genc Mamani, që në fjalën e tij theksoi se treguesit kryesorë të sigurimit të depozitave kanë qenë pozitivë. Ai pasqyroi skemën e sigurimit të depozitave dhe veprimtarinë e agjencisë përgjatë vitit të shkuar dhe raportoi posaçërisht lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të rezolutës së vitit të shkuar për Agjencinë duke theksuar, që të tre rekomandimet e Kuvendit të Shqipërisë janë përmbushur. Komisioni, në praninë e drejtueses së Autoritetit të Konkurrencës, znj. Juljana Latifi, paraqiti edhe projektrezolutën e vlerësimit të veprimtarisë së institucionit përgjatë vitit 2019, pasi raportimi nga ana e institucionit për komisionin ishte zhvilluar në mbledhjet e mëparshme të komisionit. Rezoluta, pas miratimit, do t'i kalojë seancës plenare për votim.  

Në pjesën e dytë të mbledhjes, komisioni shqyrtoi projektligjin për “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011 “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Qëllimi i këtij projektligji është të bëhet i mundur zbatimi i reformës së shërbimit veterinar dhe plotësimi i kuadrit ligjor për unifikimin e shërbimit veterinar, duke mundësuar kalimin e kompetencave e të funksioneve të shërbimit veterinar të vetëqeverisjes vendore në strukturën e shërbimit veterinar në MBZHR, pasi, me miratimin e ligjit nr.139/2015, ”Për vetëqeverisjen vendore”, njësitë e qeverisjes vendore nuk i kanë më këto funksione, sqaroi zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Ermira Gjeçi.  Edhe mbledhja e sotme e komisionit, në vijim të të tjerave, për shkak të protokollit të posaçëm të masave të sigurisë përgjatë pandemisë së Covid 19, u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit Cisco Webex. 


Share