Kuvendi vijon punën për Projektin mbi Parlamentin dhe Edukimin Qytetar (PACEP)

  • Postuar më, 20/05/2020

20 maj 2020

Kuvendi ka vijuar normalisht punën për zbatimin e Projektit mbi Parlamentin dhe Edukimin Qytetar, pavarësisht masave kufizuese të ndërmarra në kuadër të pandemisë COVID-19.

Projekti është pjesë e “Mbështetjes për Kuvendin dhe Edukimin Qytetar (PACEP)” i mbështetur nga qeveria Zvicerane nëpërmjet ambasadës zvicerane dhe po zbatohet nga NDI Albania  dhe zyra e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në kushtet e pandemisë, Kuvendi ndërtoi mekanizma të reja dhe bëri përpjekje serioze për sigurimin e ushtrimit të plotë të funksionit ligjvënës, kontrollues dhe mbikëqyrës. Në një takim pune Kuvendi, OSBE dhe NDI diskutuan masat që janë ndërmarrë në përgjigje të situatës së krijuar prej COVID-19 dhe se si ato mund të plotësohen për të siguruar transparencën e veprimtarisë së Kuvendit dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje. Pjesëmarrësit dakordësuan një sërë masash konkrete, të cilat u mbështetën nga Sekretariati për Transparencë dhe Teknologjinë e Informacionit. Më pas, drejtuesit e Kuvendit organizuan një takim informues me një grup gazetarësh mbi lehtësirat që institucioni mund të krijojë për ta.

Përgjatë kësaj kohe janë zhvilluar aktivitete edukuese dhe njohëse për të gjithë qytetarët. Së shpejti do të zhvillohet një Tur Virtual që do të sjellë Kuvendin në shtëpi, si dhe një lojë edukuese e zbavitëse “Këndvështrimi IM” për nxënësit që duan të veshin petkun e deputetit. Gjithashtu po ideohen Ture të reja e zbavitëse, të cilat do të jenë gati së shpejti dhe do të mund të konsultohen në faqen zyrtare të Kuvendit https://www.parlament.al/Kuvendi/Aplikime.

Në funksion të edukimit të qytetarëve dhe informimit të publikut është planifikuar ndërtimi i një Qendre Vizitorësh. Ideimi i funksioneve dhe aktiviteteve të Qendrës u konsultua me publikun përmes faqes së internetit http://parlament.al/News/Index/9988, me shoqërinë civile, me të rinjtë si dhe me universitetet, me të cilat Kuvendi ka Memorandum Bashkëpunimi. Në një takim konsultues zhvilluar me National Resource Centre for Civil Society in Albania vëmendje e veçantë iu dha personave me aftësi ndryshe për sa i përket qasjes dhe aktiviteteve që do të zhvillojë Qendra si dhe aktiviteteve me organizatat rinore.

Një proces i rëndësishëm konsultimi ishte dhe ai për Planin Strategjik http://konsultimi.parlament.al. Qytetarët, Shoqëria Civile, Institucionet e Pavarura e aktorë të tjerë, u njohën dhe dhanë sugjerime konkrete mbi Planin Strategjik, që do të udhëheqë institucionin e Kuvendit në 5 vitet e ardhshme. Rëndësia e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, u theksua me anë të organizmit të dy seancave të posaçme konsultimi me të rinj aktivistë dhe praktikantë të Kuvendit.

Janë intervistuar dhe përzgjedhur të rinjtë që do të zhvillojnë praktikë pranë Kuvendit,  ndërkohë që ka vijuar puna dhe për hartimin e dokumenteve të punës, që do t’u vijnë në ndihmë deputetëve dhe publikut, siç është dhe Udhëzuesi i praktikave të Kontrollit dhe Mbikëqyrjes Parlamentare. 

 


Share