Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi tre akte normative dhe një projektligj

  • Postuar më, 19/05/2020

19 maj 2020


Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, miratoi në mbledhjen e sotme virtuale projektvendimet nr. 17, 18 dhe 19, si edhe vijoi me shqyrtimin dhe miratimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Për prezantimin e aktit normativ nr. 17 e pranishme në mbledhje ishte znj. Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë. Për projektligjin dhe  aktet e tjera të pranishme në mbledhje ishin dy zëvendësministret e Financave, znj. Xhemali dhe zëvendësministrja Vjero. Znj. Xhemali solli në komision përgjigjet e pyetjeve të ngritura një ditë më pare gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit. Aktet normative të miratuara në mbledhjen e sotme ishin: nr. 17, datë 22.4.2020 "Për përjashtimin e zbatimit të procedurave dhe të afateve për përgatitjen e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për vitin 2020"; nr. 18, datë 23.4.2020 "disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar dhe nr. 19, datë 23.4.2020 "për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar". Të pranishëm në mbledhjen e sotme, që u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit CISCO WEBEX, ishin edhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, AMF dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. 


Share