Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi në parim një projektligj

  • Postuar më, 18/05/2020

18 maj 2020


Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, zhvilloi sot mbledhjen virtuale të radhës. Mbledhja e sotme shqyrtoi në parim projektligjin “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Projektligji u relatua për komisionin nga deputeti Anastas Angjeli dhe u prezantua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj. Të pranishëm për diskutimin në parim të projektligjit ishin përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Regjistrat e shpërndarë mundësojnë zhvillimin e transaksioneve ekonomike të besueshme, që autentifikohen nga bashkëpunimi masiv i përdoruesve dhe gjenerohen nga interesi vetjak i gjithësecilit prej përdoruesve e jo nga ndonjë autoritet publik. Objektivi që synon projektligji nëpërmjet rregullimit e vënies nën mbikëqyrje të tekonlogjisë së re është shfrytëzimi sa më i mirë i të gjithë potencialit të fintech dhe të teknologjisë DLT;  ulja potenciale e kostove të sistemit të pagesave; nxitja e financimeve për ekonominë vendase nëpërmjet burimeve alternative të financimit; tërheqja e investitorëve të huaj; krijimi i përfitimeve ekonomike për vendin. Rregullimi i tekonologjisë “Distributed Ledger” në lidhje me tokenët digjitalë dhe monedhat virtuale nëpërmjet këtij projektligji synon ndalimin e operimit të një burse DLT, në mënyrë të paautorizuar në territorin e Republikës së Shqipërisë; ndalimin e ofrimit të aktiveve virtuale me ofertë fillestare në mënyrë të paautorizuar; ndalimin e kryerjes së aktivitetit të kujdestarit të palëve të treta pa autorizim; dhënien ekskluzive të kompetencave të autoritetit për bllokimin e llogarive për këdo që dyshohet se kryen mashtrim apo abuzim me tregun; vendosjen e sanksioneve të rënda administrative dhe penale në rastet e abuzimit. Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët e pranishëm, komisioni e miratoi në parim projektligjin.

Mbledhja e sotme e komisionit të Ekonomisë dhe Financave u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit, Cisco Webex.


Share