Dita Ndërkombëtare e Infermierit, zv/Kryetarja e Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, dhe kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale z. Enver Roshi, u dhuruan lule infermierëve të Spitalit Infektiv dhe Urgjencës në QSUT-së

  • Postuar më, 12/05/2020

Me rastin e 12 majit, Ditës Ndërkombëtare të Infermierit, Zëvendëskryetarja e  Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi dhe Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë, z. Enver Roshi, ishin sot në QSUT “Nënë Tereza”, midis infermiereve dhe infermierëve që shërbejnë në  Spitalin Infektiv dhe Urgjencën për t’u dhuruar lule 191 infermiereve dhe infermierëve të këtyre shërbimeve, në shenjë mirënjohjeje për shërbimin në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit.                                                                            

“Kuvendi i Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarët u janë dhe do t’ju jenë përjetë mirënjohës për kontributin dhe vetëmohimin tuaj dhe të mjekëve për mbrojtjen e jetëve njerëzore prej rrezikut të Covid-19 dhe trajtimin e të personave të prekur”, nënvizoi Zëvendëskryetarja e  Kuvendit, znj. Vasilika Hysi, duke u dhuruar infermiereve buqetat me lule. Më pas znj. Hysi shtoi: “E di që ka ende probleme dhe ka nevojë për një trajtim edhe më të mirë financiar, jo vetëm për rritjen e kapaciteteve dhe formimin e profesional, por edhe krijimin e kushteve sa më të mira të punës. Kuvendi do të jetë i kujdesshëm për të ndjekur hap pas hapi të gjitha këto shqetësime”. 

Ndërsa Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë z. Enver Roshi u shpreh: “ Ju gjatë kësaj periudhe të Pandemisë së COVID-19, keni qenë në vijën e parë të frontit të luftës, në llogoren e parë aty ku rreziku është më i lartë dhe së bashku me mjekët e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive  dhe gjithë mjekëve në të gjithë vendin keni treguar me shpirt e përkushtimin tuaj! Natyrshëm që fjala nga zemra “shumë faleminderit “ është më e pakta që ne si shoqëri, por edhe si ligjvënës mund të bëjmë. Ju keni merituar dhe meritoni më shumë mbështetje për kushtet tuaja të punës, por edhe të mbështetjes financiare që ka të bëjë jo vetëm me pagën,  por edhe llogaritjen në pagë të vështirësive të punës që ju bëni”.


Share