Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshendetje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierit: Asnjëherë kombi nuk është zgjuar me kaq mirënjohje për 13 mijë infermierët e Shqipërisë

  • Postuar më, 12/05/2020

12 maj 2020

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, përshëndeti sot infermieret dhe infermierët e Shqipërisë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierit. “Asnjëherë kombi nuk është zgjuar me kaq mirënjohje sa sot, për ju, motra dhe vëllezër infermierë të Shqipërisë. Sepse sot ju nuk jeni thjesht 13 mijë profesionistë që u shërbeni të sëmurëve. Sot Shqipëria u shpreh mireënjohjen 13 mijë luftëtareve dhe luftëtarëve në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, kundër pandemisë që ka izoluar miliarda njerëz në botë. Të gjithë kontribuojnë në këtë betëjë, por ju jeni parzmorja e kombit për mbrojtjen e jetëve njerëzore në këto ditë të vështira. Gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, të moshuarat dhe të moshuarit e Shqipërisë nuk do ta harrojnë kurrë përkushtimin dhe vetëmohimin tuaj. Sot, drejtues të lartë të Kuvendit të Shqipërisë, do t’u dhurojnë nga një karafil 375 infermiereve dhe infermierëve që shërbejnë tek Shërbimi Infektiv, Urgjenca  Kombëtare dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”, në shenjë mirënjohje për vetëmohimin e tyre për mbrojtjen e jetëve njerëzore. Ju e bëtë dhe po e bëni detyrën tuaj. Tani ne duhet të bëjmë detyrën ndaj jush.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierit.

 


Share