Komisioni për Ekonominë dhe Financat shqyrtoi në parim një projektligj

  • Postuar më, 24/04/2020

Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në drejtimin e kryetares, znj. Milva Ekonomi, zhvilloi sot mbledhjen virtuale të radhës. Komisioni shqyrtoi dhe miratoi sot në parim projektligjin “Për tregjet e kapitalit”. Projektligji u paraqit në komision nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj dhe u relatua nga deputeti Ervin Bushati. Të pranishëm në mbledhje për paraqitjen e projektligjit ishin edhe përfaqësues të lartë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Në kuadër të shqyrtimit në parim të projektligjit, komisioni dëgjoi edhe grupet e interesit.

 

Projektligji “Për tregjet e kapitalit” ndërmerret me qëllim që të nxiten e të zhvillohen tregjet e kapitalit, si edhe për një mbrojtje më të mirë të investitorëve. Ministra Denaj bëri me dije për komisionin, se projektligji synon të krijojë mundësi financimi, të mundësojë emetimin e letrave me vlerë, të bëjë të mundur të kanalizohen kursimet nëpërmjet tregjeve më mirë të rregulluara të investimeve si edhe të tërhiqen investitorët e huaj. Sipas këtij projektligji tregjet e kapitalit do  të mbikëqyren më me efektivitet; do të vendosen standarde të larta integriteti dhe besueshmërie; do  të vendoset një bazë ligjore në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare dhe në përputhje me direktivat e BE-së.

Përfaqësuesit e grupeve të interesit që dhanë sugjerimet e tyre në lidhje me projektligjin ishin nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Bursa Shqiptare e Titujve, Aksioner International Securities Brokerage, Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri si edhe nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike. Komisioni e miratoi në parim projektligjin. Mbledhja e sotme u zhvilluar përmes platformës së komunikimit virtual CISCO WEBEX. 


Share