Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit: Koronavirusi nuk njeh kufij, por as solidariteti njerëzor e fetar nuk njeh kufij

  • Postuar më, 23/04/2020

 

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.

“Besimtarët myslimanë shqiptarë, bashkë me rreth dy miliardë besimtarë të botës, po hyjnë sot në muajin e Ramazanit, muajin e besimit, sakrificës dhe shpresës njerëzore. Agjërim të lehtë, vëllezër myslimanë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe në të gjithë Diasporën!

Askush nuk do të dëshironte ta niste këtë muaj të bekuar, kështu siç jemi të detyruar ta nisim, për shkak të pandemisë së koronavirusit: të privuar nga përqafimet vëllazërore midis besimtarëve, nga mrekullimi e lumturia që krijojnë festimi sëbashku dhe ritualet që kanë mbajtur gjallë besimin më shekuj e mijëvjeçarë.

Ramazani i sivjetshëm është një festë brenda një drame, një dhimbje  brenda urtësisë, një sakrificë e shtuar brenda sakrificës tradicionale të agjërimit, që na ka imponuar qëndresa stoike pandemisë COVID-19.

Por distanca sociale do të zëvëndësohet e kompensohet nga afrimi shpirtëror midis zemrave të besimtarëve dhe njerëzve tanë të dashur. Përqafimi i zemrave është po aq i fuqishëm dhe i ndjerë sa edhe përqafimi fizik.

Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë ndaj komunitetit mysliman për mbështetjen e masave dhe privimit, në emër të mbrojtjes së jetëve njerëzore, të gëzimeve e kënaqësive të jetës, për të penguar përhapjen e virusit që kërcënon rrezikshëm njerëzimin  në të pesë kontinentet.

Në  betejën kundër koronavirusit dhe rrugëtimin drejt të ardhmes, besimet janë e do të jenë bashkë.Koronavirusi nuk njeh kufij, por as solidariteti nuk njeh kufij. Solidariteti njerëzor, shpirtëror e fetar është bërë sot një fakt global.

Dhe kjo provohet më mirë se kudo, në Shqipërinë tonë, ku të gjitha komunitetet fetare, në mbështetje të  njeri-tjetrit, janë bërë sot “gardianë” të jetëve njerëzore dhe ushqyes të fuqisë, shpresës dhe vetëdijes për ta fituar betejën për jetën.

Në nisje të këtij muaji të bekuar, dëshiroj të kujtoj se roli i Islamit në avancimin e drejtësisëdhe lirive njerëzore, progresit, humanizmit dhe dinjitetit të pjestarëve të shoqërisë, po vjen duke u forcuar dhe është bërë një fakt i pranueshëm kudo në botë.

Marrëdhëniet midis Islamit dhe Perëndimit kanë hyrë në një fazë të re respektimi, mirëkuptimi, tolerance, mësimi e tëdëgjimi reciprok, kundër ksenofobisë dhe në shërbim të mbijetesës sëtë gjithëbesimeve, kulturave dhe qytetërimeve të sotme.

Shqipëria është krenare se myslimanët shqiptarë janë një komunitet i madh tolerant, i emancipuar, paqësor dhe progresiv.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij të urimit  me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.


 



Share