Miratohen 7 projektligje në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

  • Postuar më, 21/04/2020

21 prill 2020

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në drejtimin e kryetarit Niko Peleshi, shqyrtoi 7 projektligje në mbledhjen e sotme të zhvilluar online, nëpërmjet platformës virtuale Cisco Webex.

I pari në rendin e ditës ishte projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri", për të cilin ishte komision për dhënie mendimi. Relatorja e këtij projektligji, deputetja Eglantina Gjermeni theksoi se projekti do të shërbejë për rehabilitimin e tre segmenteve rrugore, çka pritet të ndikojë në krijimin dhe përmirësimin e aksesit drejt destinacioneve ekzistuese dhe të reja potenciale të turizmit, ofrimin e lehtësirave cilësore të orientuara nga turizmi, por  dhe krijimin e aksesit drejt tregjeve, punëve dhe shërbimeve nga banorët e zonave që preken nga projekti. Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi nga deputetët e komisionit.

Më tej u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për ratifikimin e protokollit 6 shtesë të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropë Qendrore”. Relatori i projektligjit, deputeti Andrea Marto theksoi se vendet anëtare të marrëveshjes CEFTA, në përputhje me objektivat politike të procesit të Berlinit dhe në përgjigje të nevojës për thellimin e mëtejshëm të integrimit tregtar në rajon kanë negociuar protokollin shtesë 6, i cili synon liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë në shërbime.E ftuar për të prezantuar projektligjin  znj. Belinda Ikonomi, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë,  sqaroi se negociatat kanë nisur që vitin 2014, procedurat dhe negociatat kanë përfunduar në 2016-ën, por miratimi dhe negocimi i të gjitha palëve u bë e mundur vitin e kaluar kur Shqipëria kishte kryesimin e CEFTA-s. Sipas saj përveç shkëmbimit të shërbimeve të parashikuara në marrëveshje me tre shtete jo anëtare në OBT: Serbinë, Bosnje-Herzegovinën dhe Kosovën, me rëndësi të veçantë është futja e elementeve të tregtisë elektronike, që në kohën pandemisë duhet të marrë një zhvillim të veçantë.  Projektligji në fjalë u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Diskutimet e komisionit vijuan me shqyrtimin e projektligjit "Për aktivitetet e turizmit detar". I ftuar për të prezantuar projektligjin ishte z.Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit, i cili theksoi se projektligji synon krijimin e një dimensioni të ri turizmit në Shqipëri dhe vjen edhe si një përgjigje e domosdoshme ndaj kërkesës në rritje për hyrjen dhe qarkullimin në ujërat territoriale shqiptare të mjeteve lundruese turistike.”Është një projektligj pjesë e modelit shqiptar të turizmit që duam të ndërtojmë, pasi Shqipëria ka nevojë për një model më të qartë të turizmit dhe ku turizmi I detit nuk mund të jetë pjesë e munguar e saj”, theksoi z.Klosi. Relatorja e këtij projektligji Eglantina Gjermeni sqaroi se projektligji ka për qëllim përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për aktivitetet e turizmit detar, llojet e mjeteve lundruese turistike, infrastrukturën e nevojshme për ushtrimin e tyre si edhe përcaktimin e përgjegjësive insitucionale për zhvillimin e këtyre veprimtarive. Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Më tej u shqyrtua projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar””, në cilësinë e komisionit përgjegjës. Z.Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit,  theksoi se projektligji vjen në kuadër të punës që po bëhet nga MTM për përmbushjen e detyrimeve të Kapitullit 27,  si dhe përafrimit me legjislacionin e BE, por dhe në kuadër të ruajtjes dhe përdorimit të florës dhe faunës¸si dhe përfshirjen gjithmonë e më shumë të komuniteteve lokale që ofrojnë burimet gjenetike vendase.Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Mbledhja virtuale e komisionit vijoi me shqyrtimin e projektligjit "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar””.  E pranishme për të prezantuar projektligjin ishte znj.Belinda Ikonomi, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, e cila sqaroi se  qëllimi i ndryshimeve të propozuara është krijimi i i ifrastrukturës institucionale për regjistrimin e operatorëve ekonomikë që operojnë në fushën e mirëmbajtjes së rrugëve me pagesë.Pas diskutimeve, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi. Më tej projektligji vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin” të ndryshuar”, në cilësinë e komisionit përgjegjës. I ftuar për të prezantuar projektligjin ishte z.Roland Kristo, zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili u shpreh se projektligji synon  arritjen e një niveli të qëndrueshëm shfrytëzimi të burimeve peshkore në det. Sipas tij Shqipëria ende se ka mbyllur numrin e anijeve në vend, çka do të mundësohet nga ndryshime ligjore të propozuara.  Pas pyetjeve dhe diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

I fundit në radhën e diskutimeve ishte projektligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”. Deputeti Arben Pëllumbi gjatë relatimit të tij sqaroi se projektligji synon përafrimin e mëtejshëm me direktivat evropiane, përshtatjen me zhvillimet dhe kërkesat e tregut të letrave me vlerë dhe fondeve të investimeve, si dhe nxitjen e mbrojtjen në një shkallë më të lartë të investitorëve.  Projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.




Share