Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, urim me rastin e Festës së Pashkëve: Pashkët, thirrje për globalizimin e solidaritetit njerëzor

  • Postuar më, 19/04/2020

19 prill 2020

Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, ka uruar sot besimtarët ortodoksë me rastin e Festës së Pashkëve.

“Me rastin e Festës së Pashkëve, u uroj të gjithë besimtarët ortodoksë si edhe të gjithë shqiptarët: Shëndet dhe lumturi në vatrat e tyre familjare!

Këto Pashkë na gjejnë fizikisht të izoluar, por më shumë të bashkuar prej mesazhit thelbësor të kësaj Feste, shpresës së ringjalljes e ringritjes.

Përshëndes në mënyrë të veçantë ata që Festa e Pashkëve i gjen duke luftuar në betejën për jetën, në vështirësi apo larg vatrave familjare.

Sot, të gjithë kemi realizuar sesa e mrekullueshme është jeta dhe paqja dhe sa pa kuptim janë marramendja pas urrejtjes e konflikteve.

Qëndresa stoike dhe beteja që po zhvillojmë për mbrojtjen e jetës na ka bindur se askush nuk shpëton duke qenë i vetëm, por në bashkëveprim, mbështetje e solidaritet me të gjithë.

Përditë e më shumë po bindemi se njerëzimi, pavarësisht kombeve, shteteve, pasurisë, varfërisë dhe ndarjeve që shkaktojnë ato, është një familje e madhe 7.7 miliardëshe, që u përgjigjet si një e vetme rrezikimit të jetëve njerëzore nga pandemia COVID-19.

Sot është dita t’u rikthehemi edhe njëherë mësimevetë krijuesve, arkitektëve dhe ndërtuesve të qytetërimit dhe t’i zbatojmë ato jo vetëm në betejën për jetën, por në të gjithë veprimtarinë tonë. 

Përditë e më shumë po bindemi se nga pandemia nuk na mbrojnë vetëm vaksinat e kurat mjekësore, por edhe antitrupat e dashurisë, drejtësisë e solidaritetit njerëzor, vlera që këto kohë po shkëlqejnë në të gjithë planetin, si eliksiri më i dobishëm kundër të keqes që kërcënon njerëzimin. 

Prandaj me kurën e dashurisë, humanizmit e solidaritetit të luftojmë edhe sëmundjet e shoqërisë, varfërinë, pabarazinë, ndarjet e konfliktet, në çdo formë që ato shfaqen.

Festa e Pashkëve të na frymëzojë që të punojmë më shumë për të ndalur globalizimin e të keqes, përhapjen e formave të ndryshme të dhunës, të indiferencës njerëzore ndaj njeri-tjetrit, të dobtëve, të sëmurëve, të pambrojturve, ndaj natyrës dhe mjedisit.

Krahas globalizimit të mallrave, shërbimeve, teknologjive dhe ideve, të investohemi për të globalizuar sidaritetin dhe përkushtimin njerëzor.

Solidaritetin që shfaqëm dhe po shfaqim ndaj koronavirusit, ta shndërrojmë në një vlerë, tipar dhe trashëgimi të shoqërisë.

Mirëkuptimin fetar ta shndërrojmë në një vlerë shoqërore dhe udhërrëfyes të të gjithë shqiptarëve, pavarësisht besimit, pikëpamjeve dhe pasurisë.

Festa e Pashkëve na shtoftë të mirat dhe mundësitë për të gjithë, na fuqizoftë rezistencën, durimin e besimin se shumë shpejt do t’u rikthehemi gëzimeve të jetës.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, në urimin e tij me rastin e Festës së Pashkëve.


Share