Takim pune Kuvend-OSBE-NDI: Transparenca e veprimtarisë së Kuvendit dhe masat e ndërmarra në kuadër të COVID-19

  • Postuar më, 17/04/2020

17 prill 2020

Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, të paprovuara më parë, Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka ndërprerë punën për asnjë ditë.

Natyrisht, duke respektuar të gjitha kërkesat drastike që ka imponuar vendimi i Qeverisë dhe nevoja për të paradaluar përhapjen e koronavirusit.

 Kuvendi po ndërton mekanizma të reja për t’iu përshtatur situatës, që të sigurojë ushtrimin e plotë të funksionit ligjvënës, kontrollues, mbikëqyrës. Në këtë kuadër u zhvillua sot një takim pune nëpërmjet platformes virtuale CISCO/WEBX për të diskutuar masat që janë ndërmarrë në përgjigje të situatës së krijuar prej COVID-19 dhe si këto masa mund të plotësohen për të siguruar transparencën e veprimtarisë së Kuvendit dhe përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje.

Nisma për organizimin e këtij takimi erdhi nga organizatat partnere të Kuvendit, OSBE dhe NDI, në kuadër të projektit me financim zviceran Mbështetja për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar, PACEP. Kjo nisëm u mbështet nga Sekretariati për Transparencë dhe Teknologjinë e Informacionit, kryesuar nga znj. Vilma Bello dhe nëpunësit e administratës së Kuvendit përgjegjës për çështjet e komisioneve,  procedurave parlamentare,  transparencës dhe përfshirjes së publikut në vendimmarrje.

Pjesëmarrësit dakortësuan një sërë masash konkrete, si dhe hartimin e një plani pune, mbi transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje. Gjithashtu u diskutua për organizimin  e takimeve informuese/vlerësuese me grupin e gazetarëve që mbulojnë punimet e Kuvendit dhe organizata të shoqërisë civile në dy javët në vijim, që do t'i shërbejë edhe më mirë këtij procesi.


Share