Fjala e Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi në seancën plenare të datës 16 prill për miratimin e akteve normative për përballimin e pandemisë COVID-19

  • Postuar më, 16/04/2020

16 prill 2020

Të dashur qytetarë të Shqipërisë,

Të nderuar kolege e kolegë deputetë,

Kjo është një seancë jo e zakonshme.

Kuvendi i Shqipërisë është sot në krye të detyrës, në rrethana të jashtëzakonshme, në kushtet e luftës me një armik të padukshëm për syrin  njerëzor, por tepër të rrezikshëm për jetët njerëzore në të gjithë globin.

Pa u mbyllur gjendja e jashtëzakonshme pas tërmetit të 26 nëntorit, hymë të gjithë në një gjendje tjetër të jashtëzakonshme.

Rrallë ndodh që një vend të përballojë  njëherësh dy gjendje të jashtëzakonshme. Fakti që po i fitojmë të dy betejat, tregon se jemi vitalë dhe, pavarësisht konflikteve në të cilat e përfshin vendin politika, Shqipëria dhe shqiptarët kanë ruajtur të pacënuara vyrtytet dhe fuqinë e tyre të mbijetesës.

Edhe pse situata ishte e rëndë e me kufizime drastike, Kuvendi vazhdon punën në format e imponuara nga pandemia, deputetët mbajnë lidhje me qytetarët dhe agjencitë e shtetit dhe po kontribuojnë në plotësimin e nevojave jetësore të tyre bazike.

Konferenca e Kryetarëve, Byroja dhe komisionet po funksionojnë në formatin elektronik dhe shërbimet substanciale të administratës janë në punë pa ndërprerje. 

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh ngushëllimet familjeve që humbën njerëzit e tyre të dashur dhe të prekurve, përfshirë kolegun Alimadhi, që zhvillojnë betejën për jetën u uroj shërim sa më të shpejtë.

Shpreh mirënjohjen e thellë për mjekët dhe infermierët e Shqipërisë, veçanërisht për mjekët infeksionistë që janë në vijën e parë të betejës dhe po shpëtojnë qindra jetë shqiptarësh, por edhe për qindra mjekë shqiptarë që luftojnë me pandeminë në të pesë kontinentet dhe që këto kohë i kanë lartësuar emrin atdheut të tyre. E kam thënë dhe po e përsëris: Kombi nuk do t’ua harrojë këtë vetëmohim.

Mirënjohja jonë shkon për Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura, anëtarët e të cilave kontribuojnë në shpëtimin e jetëve  të njerëzve.

Kjo betejë nuk do të kishte rezultuar e suksesshme nëse qytetarët e Shqipërisë nuk do t’u ishin bashkuar masave të Qeverisë. Të gjithë ata, por sidomos të moshuarit, meritojnë mirënjohjen tonë. Të gjithëve u bëj thirrje të vazhdojmë të rezistojmë e të luftojmë, për të dalë të fituar dhe me sa më pak humbje jetësh nga kjo pandemi.

Falenderoj gjithë deputetët  që  mirëkuptuan vendimin e Byrosë së Kuvendit për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore.

Kuvendi vlerëson shumë pozitivisht punën e Kryeministrit, Qeverisë dhe Komitetit Teknik, e cilët e vlerësuan këtë situatë si një situatë lufte dhe morën masa radikale mbrojtëse, të cilat rezultuan të suksesshme. Kam bindjen se këtë vlerësim e ndajmë më shumicën e qytetarëve shqiptarë.

Sa më drastike të jenë masat dhe sa më të vetëdijshëm qytetarët për zbatimin e tyre, aq më shpejt do të dalim nga kjo betejë, aq më shumë dhe aq më shpejt do të fitojë jeta përballë rrezikut që i kanoset.


Të dashur qytetarë të Shqipërisë,

Të nderuar kolegë,

Pandemia e koronavirusit tregoi se globalizimi është një proces kontradiktor; progresiv e emancipues për nga avantazhet e të mirat që krijon për njerëzimin, por edhe me rreziqe, jo thjesht hipotetike, por reale.

Kjo pandemi po tregon se njerëzimi, me të drejtë, është kujdesur dhe mrekulluar nga avantazhet e globalizimit, por, gabimisht e fatkeqësisht, ka nënvleftësuar rreziqet prej tij. 

Duhet ta pranojmë se të gjitha vendet u gjetën të papërgatitura e pa masat e duhura mbrojtëse për të përballuar pandeminë.

Koronavirusi i dha  botës një mësim që duhet ta lexojmë me kujdes.

Polet vendim-marrëse të globit ishin ambjentuar me faktin se efektet e pasojat e globalizimit godisnin në mënyrë asimetrike.

Ekonomitë, prodhuesit dhe konsumatorët e mëdhenj, njëkohësisht edhe ndotësit më të mëdhenj të natyrës dhe mjedisit,  përfitonin më shumë nga efektet dhe goditeshin më pak prej pasojave të tij.

Ndërsa vendet e vogla, në zhvillim dhe me burime të kufizuara financiare si Shqipëria, përfitonin më pak nga këto efekte, por  vuanin më shumë nga pasojat e tyre.

Koronovirusi e ndryshoi këtë rregull, i goditi të gjithë me sa mundi, pa dallim, dhe fati i fitores me të, me sa po shohim, varet jo aq nga niveli teknologjik dhe pasuria e shteteve, por nga shpejtësia dhe thellësia e masave mbrojtëse.

Shqipëria është një vend i vogël dhe jemi aq modest sa të mos i japim mend njerëzimit dhe as t’u imponohemi fuqive dhe ekonomive të mëdha të globit.

Por disa mësime nga pandemia, me të cilën jemi ende në luftë, për vete duhet t’i nxjerrim. Ja cilat janë disa prej tyre:

E para, jetën dhe shëndetin duhet t’i përkushtohemi më shumë dhe të mos i marrim si të mirëqena. Jeta na është dhënë për ta gëzuar dhe saj duhet t’i shërbejmë me veprimin e qytetarëve dhe investimin e shoqërisë. Prandaj shëndetësia duhet të përbëjë më shumë se deri tani, një prioritet të qeverisjes dhe investimit tonë politik e kombëtar.

E dyta, shoqëria, forcat politike, Kuvendi, Qeveria e institucionet duhet të korrigjojmë disa prioritete të zhvillimit, mënyrën sesi e konceptojmë dhe e zhvillojmë raportin midis rritjes ekonomike dhe shëndetit. Politikat tona duhet ta bëjnë të qartë se shëndeti i popullsisë është qëllimi madhor i rritjes ekonomike dhe jo një ushqyes dhe në shërbim të saj. Të zhvillojmë ekonominë për të garantuar shëndetin e qytetarëve dhe jo të vemë shëndetin në funksion të rritjes.

E treta, brenda sistemit shëndetësor, duhet të korrigjojmë disa prioritete.

Shëndeti publik dhe mbrojtja nga epidemitë duhet të mbështeten me më shumë  burime, kujdes dhe investime shtetërore.

Shëndeti publik duhet të jetë përparësi absolute dhe jo një aneks i politikave tona shëndetësore.

Sa më shumë të investojmë në shëndetin publik, aq më pak do të na kërkohet të investojmë për shërbimet e tjera mjekësore e spitalore.

Fuqizimi i shëndetit publik e atij parësor dhe parandalimi i epidemive duhet të jenë elemente thelbësorë të racionalizimit të sistemit shëndetësor dhe atij spitalor.

Kjo kërkon ndërgjëgjësimim më të madh të publikut e qytetarëve, mobilizimin e burimeve më të mëdha financiare dhe parapërgatitje efikase kundër epidemive.

E katërta, kjo situatë duhet të na udhëheqë drejt ripërcaktimit të statusit të mjekëve, infermierëve e profesionistëve të shëndetit.

Si të gjithë ju, edhe unë kam përjetuar me emocione atë që pa frikë mund ta quaj heroizëm të punonjësve të mjekësisë dhe jam ndier i detyruar e borxhlli për atë që duhej të kishim bërë për ta.

Ne e kemi për detyrë që vlerësimi ynë për për forcën e punës në mjekësi të mos mbetet në kufijtë e një faleminderit, sado e sinqertë qoftë ajo, por të konkretizohet në më shumë investime për shëndetësinë dhe më shumë incentiva financiare për ta.

E pesta, kjo situatë ka shtruar emergjencën e përmirësimit të edukatës shëndetësore, epidemiologjike e parandaluese të popullsisë. Kundër epidemisë, secili duhet të bëhet mjek i vetvetes. Por detyra jonë është të krijojmë kushtet dhe hartojmë programet shkollorë që çdo qytetar të bëhet i tillë. Ashtu si shtruam nevojën e edukimit anti-sizmik pas tërmetit të 26 nëntorit.

E gjashta, situatën pas kësaj pandemie globale mund ta shndërrojmë në një oportunitet kombëtar. Shanset janë që të dalim nga kjo pandemi si një ndër vendet e sigurta  të planetit. Kjo mund të sjellë një qasje të re të vendeve të zhvilluara për të investuar në Shqipëri dhe ne duhet të mendojmë për politika agresive për tërheqjen e këtyre investimeve.

Këto mendime si edhe propozimet tuaja ju ftoj të bëhen objekt reflektimi i punës së komisioneve dhe të “përkthehen” në akte ligjore apo përmirësime të tyre.

Në këtë mënyrë do të ndërtojmë disa “diga mbrojtëse” të shëndetit të popullatës nga epidemitë e rreziqet e natyrave të ndryshme.

Faleminderit!



Share