Roli i Kuvendit

Në një shtet demokratik pushteti buron nga populli. Përfaqësuesit e zgjedhur prej tij janë ata të cilët ushtrojnë pushtetin legjislativ. Detyra kryesore e tyre është të vendosin drejtimin politik të shtetit nëpërmjet shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve (funksioni legjislativ). Për arsyen se Kuvendi është organi që legjitimizohet nga vullneti popullor, nëpërmjet zgjedhjeve, ai gëzon një pozitë të fortë në sistemin shtetëror dhe kjo shprehet qartë në Kushtetutën e Shqipërisë. Përveç kësaj Kuvendi gëzon një të drejtë kontrolli mbi organe dhe institucione të tjera kushtetuese apo të krijuara me ligj (funksioni kontrollues), duke i ndaluar në këtë mënyrë këto organe të ndërmarrin, në mënyrë të pavarur, vendime në kundërshtim me vullnetin popullor. Të gjithë anëtarët e Parlamentit kanë përgjegjësinë të përfaqësojnë opinionin e zgjedhësve të tyre gjatë debateve të ndryshme parlamentare në mënyrë të tillë që të shprehin, sa të jetë e mundur, çfarë kërkon shumica e zgjedhësve, që përfaqësohet nga mazhoranca parlamentare.
Struktura dhe organizimi i Kuvendit
Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë. Ai zgjidhet për një periudhë 4 vjeçare. Kuvendi i Shqipërisë është i përbërë nga një dhomë e vetme dhe anëtarët e tij zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kuvendi i zhvillon punimet e tij vjetore në dy sesione. Ai e organizon veprimtarinë e tij nëpërmjet një akti normativ, që është Rregullorja e Kuvendit, e cila varet drejtpërdrejt vetëm prej normave kushtetuese dhe miratohet me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 75/2 i Kushtetutës).
Detyrat e Kuvendit
Funksioni legjislativ
Kuvendi është organi, i cili vë në jetë(e bën reale) një nismë legjislative (e drejta për të propozuar një ligj), duke ushtruar kështu pushtetin që atij i është dhënë me Kushtetutë, pushtetin legjislativ. Të drejtën për të iniciuar një nismë të tillë në më të shumtën e rasteve e ushtron qeveria dhe kjo ndodh sidomos atëherë kur kjo qeveri gëzon shumicën parlamentare dhe si rrjedhojë ekziston probabiliteti më i madh që të arrihet në një rezultat të kënaqshëm të kësaj nisme. Por të drejtën për të iniciuar një nismë ligjvënëse e ka edhe çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës (neni 81 i Kushtetutës). Projektligjet e propozuara i nënshtrohen procedurës përkatëse për miratim dhe me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, një projektligj bëhet ligj. Por ka dhe raste kur në Kushtetutë është parashikuar një shumicë e cilësuar për të arritur nga një projekt në një ligj. Kjo parashikohet për ato nisma legjislative siç mund të jenë amendimet kushtetuese dhe ligje të tjera të cilësuara shprehimisht në Kushtetutë.
Funksioni elektoral (për të zgjedhur)
Anëtarët e Kuvendit janë përgjegjës për zgjedhjen e Kryeministrit, kabinetit qeveritar dhe për miratimin e programit të Këshillit të Ministrave. Si rrjedhim i kësaj qeveria është e varur (lidhur ngushtë) nga shumica parlamentare. Gjithashtu, nga Kuvendi zgjidhet dhe Presidenti i Republikës. Por nuk janë vetëm këto organe kushtetuese, që zgjidhen nga Kuvendi. Kuvendi ngarkohet nga Kushtetuta dhe me përgjegjësinë për zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit. Përsa i përket gjyqësorit Kuvendi gëzon të drejtën të zgjedhë 5 anëtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit si dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë . Çka vlen të theksohet është dhe ajo që parashikon Kushtetuta në lidhje me gjyqësorin (neni 135 i Kushtetutës), ku Kuvendit i parashikohet e drejta të krijojë me ligj gjykata për fusha të veçanta, por jo gjykata të jashtëzakonshme. Nga Kuvendi zgjidhet edhe Avokati i Popullit dhe po me kërkesë të motivuar të deputetëve, Kuvendi vendos për shkarkimin e tij. Kuvendi zgjedh gjithashtu Prokurorin e Përgjithshëm mes 3 kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si dhe 5 anëtarë të këtij Këshilli.
Funksioni kontrollues
Ndarja e pushteteve e realizuar në praktikë parashikon që Kuvendi (legjislativi) të monitorojë dhe të kontrollojë mënyrën se si Qeveria (ekzekutivi) vë në zbatim kuadrin ligjor të nxjerrë nga Parlamenti. Që kjo të bëhet efektive Kuvendit i janë dhënë një sërë kompetencash kontrolli. Pra, Kuvendi zotëron një sërë mekanizmash ligjorë kontrolli, të cilat i ushtron mbi pushtetin ekzekutiv dhe institucione të tjera qendrore të rëndësishme kushtetuese ose të krijuara me ligj. Kjo nxjerr në pah pozitën e tij të konsoliduar si një organ qendror kushtetues me pushtet përveçse ligjvënës, ashtu dhe kontrollues, por kjo gjithmonë e parë nën dritën e parimit të ndarjes së pushteteve (neni 7 i Kushtetutës). Në kuadrin e kompetencave të kontrollit vlejnë të theksohet kontrolli që ai ushtron mbi ekzekutivin nëpërmjet instrumenteve të tillë ligjorë siç janë seancat e pyetjeve, mocioneve e debateve parlamentare mbi çështje të implementimit të politikës nga Qeveria, zbatimit të ligjeve dhe qëndrimeve të saj mbi çështje të ndryshme. Një mjet tjetër i rëndësishëm që i jepet Kuvendit është dhe e drejta për ngritjen e komisioneve hetimore për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Vlen të theksohet, se përfundimet e nxjerra nga këto komisione nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen Prokurorisë, e cila i vlerëson, sipas procedurës së caktuar ligjore. Pra, arrihet në përfundimin se roli i Kuvendit nuk qëndron vetëm në bërjen e ligjeve, por edhe në kontrollin dhe drejtimin politik të vendit.