Ndërtesa

Ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë
Vepër e projektuar nga arkitekti Anton Lufi që në vitin 1953. Planimetria ka formën e shkronjës “π”, me gjatësi 80 m e me dy krahë me gjatësi 53 m. Arkitektura e jashtme ka përmasa të harmonizuara mjaft mirë, me paraqitje të qetë, por monumentale, e zbukuruar me pilastra, kapitele dhe korniza të arkitekturës klasike. Hyrja kryesore është trajtuar me harqe, përpjekje kjo për të përdorur elemente të arkitekturës popullore.
Kjo ndërtesë katërkatëshe është me shumë zyra, salla të ndryshme, bibliotekë dhe me mjedise të nevojshme dhe të plotësuara me pjesët inxhinierike. Salla e mbledhjeve, e dekoruar me elemente klasike, ndodhet në katin e katërt të krahut jugor.
Pas mbylljes së veprimtarisë së PPSH-së në vitin 1991 në këtë ndërtesë u vendosën pjesërisht administrata e Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe për një periudhë kohe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (sot Ministria e Kulturës).
Sot pjesën më të madhe të ambienteve e ka në përdorim Kuvendi i Shqipërisë, por ndodhen ende Gjykata Kushtetuese dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ndërtesa e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë
Ndërtesa është një projekt i vitit 1955 me autor arkitektin S. Luarasi në bashkëpunim me arkitektin rus D. Vasilef. Projekti u hartua në bazë të projektit të godinës ekzistuese (Lidhja Kulturore), në mënyrë që dhomat e kësaj godine të shërbenin si lidhje me godinën e re, pra si zyra të administratës së Kuvendit Popullor. Salloni i kinemasë ekzistuese u shndërrua në sallë për seancat plenare me kapacitet 160 vende, ndërsa tek tribuna e presidiumit me 40 vende. Për diplomatët u parashikuan lozhat me 44 vende nga njëra anë e sallës, ndërsa nga ana tjetër 44 vende u caktuan për gazetarë, korrespodentë etj. Ballkoni përballë përmban 246 vende për audiencën. Për presidiumin u parashikua hyrja kryesore e godinës ekzistuese( Lidhjes Kulturore). Gardërobë, bufe dhe dhomë për rojat e presidiumit u parashikuan të vendosen në sallën e kinemasë ekzistuese.
Kjo godinë e re e Kuvendit u projektua në mënyrë të tillë që të mund të përdoren të gjitha mobiliet ekzistuese të Kuvendit të vjetër (e presidiumit, e deputetëve dhe karriget e ballkonit).
Sipërfaqja e ndërtesës është 710 m².
Vëllimi i ndërtesës është 6500 m ³.