Kontrolli nëpërmjet komunikimit

I. Ç’ kuptojmë me kontroll nëpërmjet komunikimit ?

II. Instrumentat e komunikimit

III. Forma të tjera kontrolli

I. Ç’ kuptojmë me kontroll nëpërmjet komunikimit?
Kontroll të Kuvendit mbi organin e ekzekutivit dhe institucione të caktuara kushtetuese dhe të krijuara me ligj, kontroll ky i cili arrihet nëpërmjet instrumenteve të komunikimit, të rregulluara këto në Pjesën e Tretë të Rregullores së Kuvendit. Me anë të këtyre instrumenteve bëhet i mundur kontrolli mbi çështje të caktuara të veprimtarisë dhe funksionimit të këtyre organeve. Kryetari i Kuvendit ka të drejtë të mos pranojë pyetje, interpelanca ose mocione kur paraqiten të formuluara me fjalë të pahijshme, kur kanë të bëjnë me çështje që nuk janë nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, kur cënojnë jetën private ose personalitetin e një individi ose institucioni. Gjithashtu, për çështje të konsumuara dhe që më parë janë marrë vendime brenda sesionit, nuk pranohen pyetje, interpelanca apo dhe mocione.

II. Instrumentet e komunikimit

a- Pyetjet
Mjet kontrolli nëpërmjet të cilit arrihet marrja e informacionit për një ose disa çështje të caktuara. Çdo deputet ka të drejtë t’i drejtohet Kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave duke përdorur këtë lloj instrumenti. Bëhen me shkrim, qartë e në mënyrë të përmbledhur dhe si detyrim duhet t’u përkasin atyre çështjeve që janë në kompetencë të personave përgjegjës të ekzekutivit, të cilëve, u drejtohen këto pyetje. Kryeministri ose çdo anëtar tjetër i Këshillit të Ministrave është i detyruar t’u përgjigjet pyetjeve në seancë plenare, brenda një afati prej 3 javësh nga paraqitja e tyre, por nuk mund të përfshihen më shumë se dy pyetje nga i njëjti deputet në një seancë plenare. Gjithashtu, është i shprehur edhe detyrimi që të paktën 45 minuta në çdo seancë plenare t’i kushtohen seancës së pyetjeve, përveç rasteve kur në kalendarin e punimeve është vendosur ndryshe. Kur tejkalohet kjo kohë e përcaktuar, sipas Rregullores, vazhdohet në seancën pasardhëse. Pas marrjes së përgjigjes, deputeti ka të drejtë që për 3 minuta të shprehet nëse është i kënaqur ose jo me përgjigjen. Përgjigjet e pyetjeve merren si në seancë plenare, ashtu dhe në komisionin e përhershëm përkatës, sipas objektit të pyetjes, kur kjo kërkohet nga vetë deputeti i cili ka drejtuar këtë pyetje. Përgjigjet mund të merren dhe me shkrim prej anëtarit të Këshillit të Ministrave, atëherë kur deputeti e kërkon këtë, brenda një afati prej 3 javësh. Nëse nuk arrihet të merret kjo përgjigje me shkrim brenda afatit të vendosur në Rregullore, atëherë me kërkesë të vet deputetit, kjo përgjigje do të merret në mbledhjen e komisionit të përhershëm përkatës. Një herë në javë, të mërkurave, parashikohet zhvillimi i seancës së pyetje-përgjigjeve, seancë kjo e cila nuk duhet të zgjasë më shumë se 60 minuta. Çdo deputet në këtë seancë ka të drejtë të parashtrojë një pyetje të vetme. Pyetjet për këtë seancë paraqiten me shkrim deri në ditën e hënë, në orën 14.00, në Sekretarinë e Kuvendit. Deputeti që ka paraqitur pyetjen, ka të drejtë ta parashtrojë brenda një afati prej 2 minutash. Kryeministri ose ministri përkatës duhet të përgjigjet për jo më shumë se 5 minuta dhe më pas deputeti pyetës ka të drejtë të flasë deri në 3 minuta.

b- Interpelancat
Mjet kontrolli i formalizuar në një kërkesë me shkrim drejtuar Kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave për marrjen e shpjegimeve për motivet, synimet dhe qëndrimin e Këshillit të Ministrave ose për aspekte të ndryshme të veprimtarisë së tij. Çdo deputet ose grup deputetësh gëzon të drejtën e inicimit për të proceduar për një interpelancë, duke ia paraqitur fillimisht kërkesën Kryetarit të Kuvendi, i cili detyrimisht duhet të vërë menjëherë në dijeni anëtarin përkatës të Këshillit të Ministrave. Kërkesat për interpelancë paraqiten çdo të martë deri në orën 14.00 në Sekretarinë e Kuvendit dhe parashikohen për t’u zhvilluar në tri të hënat pasardhëse. Në një seancë plenare nuk mund të zhvillohen më shumë se dy interpelanca të paraqitura nga i njëjti subjekt (deputet ose grup deputetësh). Deputeti që ka kërkuar interpelancën, ka të drejtë ta paraqesë atë brenda kohës prej 7 minutash dhe të shprehë pëlqimin e tij për deklarimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave për jo më shumë se 15 minuta. Ministri i thirrur në interpelancë ka të drejtë të flasë për 20 minuta dhe përsëri pas deklarimit të deputetit, por në këtë moment jo më shumë se tre minuta secili. Gjithashtu, Rregullorja parashikon dhe rastin e interpelancave urgjente, të cilat duhet të depozitohen në Kuvend deri në orën 14.00 të ditës së hënë. Të drejtën për t’i inicuar ato e ka një kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë, por këto subjekte kufizohen në sasinë e interpelancave, deri në paraqitjen e vetëm një të tille në muaj. Ky kufizim është taksativ.

c- Mocionet

Mocioni për debat
Mjet kontrolli me anë të të cilit kërkohet zhvillimi i një debati në Kuvend për çështje të veçanta, me qëllim që në përfundim të tij të arrihet miratimi i një rezolute ose deklarate. Kanë të drejtë për inicimin e debatit një kryetar grupi ose 7 deputetë. Procedura për zhvillimin e mocionit kalon nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit, i cili më pas e dërgon kërkesën për të marrë miratim në Konferecën e Kryetarëve, ku me mirëkuptim arrihet një datë e caktuar për të zhvilluar mocionin, datë e cila njoftohet në seancën më të parë plenare. Kur nuk arrihet mirëkuptimi, Kryetari e paraqet kërkesën në seancë plenare, duke propozuar një datë, dhe i kërkon Kuvendit të vendosë me votim të hapur. Zhvillimi i debatit në seancë plenare përmbledh dy hapa: 1. debatin e përgjithshëm, 2. debatin për amendamentet për projektrezolutën ose projektdeklaratën, në rast se ajo është propozuar për miratim. Fillimisht është e detyrueshme të hidhen në votim amendamentet që kërkojnë të shtojnë ose të ndryshojnë fjalë në tekstin e projektdeklaratës ose të projektrezolutës.

Mocioni i besimit
Kryeministri, në mbështetje të nenit 104 të Kushtetutës, mund të paraqesë në Kuvend mocion besimi. Mocioni i besimit paraqitet nga Kryeministri për një çështje që ai e vlerëson të rëndësishme dhe mund të lidhet me miratimin në Kuvend të një projektligji ose projektvendimi. Në rast se Kryeministri paraqet mocionin të lidhur me miratimin e një neni, pjesë të tij ose me projektligjin në tërësi, mocioni votohet pasi të jenë paraqitur të gjitha amendamentet në lidhje me ta. Teksti i propozuar nga Kryeministri hidhet i pari në votim. Mocioni i besimit nuk mund të lidhet me propozime për hetime të Kuvendit, emërime dhe shkarkime personash, heqje imuniteti dhe në përgjithësi me çështje që lidhen me funksionimin e Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve përcakton kohën e debatit që do të mbahet për mocionin e besimit, duke i lejuar kohë për diskutime jo më pak se 3 minuta çdo deputeti që s’bën pjesë në grup parlamentar ose atyre që dëshirojnë të paraqesin qëndrime të ndryshme nga grupi parlamentar të cilit i përkasin. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga data e paraqitjes së tij në seancë plenare. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105 të Kushtetutës.

Mocioni i mosbesimit
Jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve, në mbështetje të nenit 105 të Kushtetutës, ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar njëkohësisht një Kryeministër të ri. Mocioni i mosbesimit duhet të përmbajë nënshkrimet e deputetëve dhe të jetë i arsyetuar. Me paraqitjen e mocionit të mosbesimit, Kryetari i Kuvendit njofton menjëherë Kryeministrin dhe thërret Konferencën e Kryetarëve, për të përcaktuar datën e zhvillimit të mocionit. Paraqitja e mocionit në seancë plenare bëhet jo më vonë se 7 ditë nga depozitimi i tij dhe votimi nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e tij në seancë plenare, sipas pikës 3 të këtij neni. Seanca plenare, e përcaktuar për zhvillimin e mocionit të mosbesimit, fillon me paraqitjen e mocionit për jo më shumë se 5 minuta nga përfaqësuesi i nënshkruesve të tij dhe vijon me zhvillimin e debatit për të, sipas kohës së përcaktuar në Konferencën e Kryetarëve. Në përfundim të debatit ka të drejtë të flasë përfaqësuesi i nënshkruesve të mocionit jo më shumë se 10 minuta. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga data e votimit të mocionit të mosbesimit në Kuvend. Në rastin kur mocioni i mosbesimit nuk miratohet, nënshkruesit e tij nuk mund të paraqesin dhe as t’i bashkohen ndonjë mocioni tjetër mosbesimi brenda të njëjtit sesion.

FORMA TË TJERA KONTROLLI

KONTROLLI NGA KOMISIONET E PËRHERSHME PARLAMENTARE
Komisionet parlamentare kanë të drejtë të thërrasin në çdo kohë ministrat, për të dhënë shpjegime dhe sqarime rreth fushave ku ata janë individualisht përgjegjës. Gjithashtu, edhe drejtuesit e institucioneve kanë si detyrim që, me kërkesën e komisioneve, të japin shpjegime dhe të informojnë për çështje të caktuara që lidhen me veprimtarinë e tyre shtetërore. Komisioneve, në këtë këndvështrim, u parashikohet dhe e drejta për të kontrolluar ose kërkuar dokumentacione të cilat i vlerësojnë si të nevojshme. Në përfundim të kontrollit, komisioni konkludon në një raport, i cili i përcillet Kryetarit të Kuvendit dhe në të cilin pasqyrohet edhe mendimi i shprehur nga pakica.

RAPORTIMI NË KUVEND
Dërgimi me shkrim në Kuvend i raporteve përkatëse, të kërkuara organeve kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj nga Kryetari i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit u kërkon këtyre organeve të dërgojnë me shkrim raportin, të paktën dy javë para datës së caktuar, për t’u mbajtur në seancë plenare. Është Konferenca e Kryetarëve ajo që ka të drejtën të vendosë për kalendarin e paraqitjes së këtyre raporteve në Kuvend. Pas paraqitjes, Kryetari ia dërgon komisionit të përhershëm përkatës për shqyrtim. Është më pas detyra e këtij komisioni të organizojë një seancë dëgjimore në lidhje me këtë objekt dhe në fund të diskutimeve, të hartojë një projektrezolutë të vlerësimit të punës për institucionet, duke ia paraqitur më pas seancës plenare. Në seancë plenare raporti paraqitet nga titullari i institucionit për një kohë jo më shumë se 60 minuta dhe, pasi lexohet edhe projektrezoluta e komisionit, vijohet me pyetje dhe debat, në rastet kur ky debat është kërkuar me shkrim nga një komision i përhershëm, një kryetar grupi ose 10 deputetë. Është përsëri Konferenca e Kryetarëve që vendos për kohën e debatit. Në përfundim kalohet në votim të projektrezolutës.Kanë të drejtë të ushtrojnë këtë kompentencë kontrolli për të thirrur në seancë drejtuesit e këtyre institucioneve një kryetar grupi ose të paktën 10 deputetë. Kërkesa paraqitet me shkrim dhe për këtë kërkesë Kuvendi vendos me votim të hapur dhe pa debat, por me kusht që të dëgjohet një folës pro dhe një kundër për jo më shumë se tri minuta.

PETICIONI
Kërkesë me shkrim për të ndërmarrë veprime për zgjidhje ligjore të çështjeve të caktuara. I dërgohet Kryetarit të Kuvendit dhe për të ndërmarrë shqyrtimin e saj duhet të plotësohen këto kushte formale: – të jetë shkresore; – të ketë emrin e dërguesit dhe nënshkrimet përkatëse; – të jetë e kuptueshme dhe të shprehet qartë objekti. Kryetari ia dërgon atë komisionit të përhershëm përkatës, i cili jo më vonë se 45 ditë duhet ta paraqesë atë në komision dhe njëkohësisht të propozojë dhe zgjidhjen ligjore. Është ky komision më pas hallka që ndërmerr hapat për gjetjen e zgjidhjes ligjore ose refuzimin e peticionit. Dërguesit e peticionit gëzojnë të drejtën të njoftohen për hapat dhe zgjidhjen e çështjes.

Një mjet tjetër i rëndësishëm që i jepet Kuvendit, është edhe e drejta për ngritjen e komisioneve hetimore për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Vlen të theksohet, se përfundimet e nxjerra nga këto komisione nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen Prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës së caktuar ligjore.