- Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian
- Komiteti Parlamentar i Stabilizim Asocimit BE – Shqipëri
- Komisioni për Integrimin Europian
- Përafrimi i legjislacionit
- Shkolla Europiane 2016
- Shkolla Europiane 2017
- Shkolla Europiane 2018
- Shkolla Europiane 2019
- Shkolla Europiane 2020
Përafrimi i legjislacionit
Përafrimi i legjislacionit
Shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të përafrojnë legjislacionin e tyre të brendshëm me legjislacionin e Bashkimin Europian dhe ta zbatojnë atë me efektivitet.
Detyrimi i Republikës së Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit të saj me acquis të BE-së buron nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit BE–Shqipëri, e cila është nënshkruar më 12 qershor 2006 dhe ka hyrë në fuqi më 1 prill 2009. Neni 70 i MSA-së parashikon se Shqipëria do të përpiqet të sigurojë që ligjet e saj ekzistuese dhe legjislacioni i ardhshëm të shkojnë gradualisht drejt përputhjes me acquis të BE-së. Ky përafrim ka filluar në datën e nënshkrimit të MSA-së dhe do të shtrihet gradualisht në tërë elementet e acquis të BE-së të parashikuara në këtë Marrëveshje brenda një periudhe tranzitore deri në 10 vjet, e ndarë në dy faza. Gjatë fazës së parë të periudhës tranzitore (e cila ka filluar me hyrjen në fuqi të MSA-së) përafrimi përqendrohet në elementet thelbësore të acquis të Tregut të Brendshëm, kurse gjatë fazës së dytë Shqipëria do të përafrojë pjesët e mbetura të acquis.
Përveç MSA-së procesi i përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së realizohet duke u bazuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Rregulloren e Kuvendit, në ligjin nr.15/2015, datë 5.03.2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore.
Të gjitha fazat e procesit legjislativ, duke nisur me formulimin e politikave dhe përcaktimin e instrumentit rregullues (ligj) deri te hartimi i tekstit të aktit dhe miratimit të tij në Kuvend, janë pjesë e procesit të adresimit të kërkesave të acquis të BE-së në legjislacionin shqiptar, ndryshe procesi i përafrimit të legjislacionit. Në këtë proces përgjegjësinë kryesore për planifikimin dhe propozimin e nismave ligjore e ka qeveria. Por Kuvendi, si organi më i lartë ligjvënës në vend, luan një rol shumë të rëndësishëm në procesin e përafrimit të legjislacionin shqiptar me atë të BE-së, duke ushtruar kontrollin ligjor dhe politik të këtij procesi.
Procedura e shqyrtimit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në Kuvend përcaktohet në mënyrë të detajuar në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë dhe në ligjin nr.15/2015, datë 5.03.2015, “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian”. Rregullorja e Kuvendit dhe ligji nr.15/2015 parashikojnë se projektligjet që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian duhet të jenë të shoqëruara me relacionin shpjegues dhe tabelat e përputhshmërisë (instrumentet e përafrimit) dhe se organet e Kuvendit (Kryetari i Kuvendit dhe Komisioni për Integrimin Europian) mund të kthejnë te nismëtari projektligjet e depozituara në Kuvend kur konstatojnë mangësi në dokumentacionin që shoqëron projektligjin.
Projektligjet e propozuara Kuvendit që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian shqyrtohen nga Komisioni për Integrimin Europian, i cili ka në fushën e tij të përgjegjësisë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Komisioni gjatë shqyrtimit të përputhshmërisë së projektligjit me acquis të BE-së analizon tabelat e përputhshmërisë që shoqërojnë projektligjin, duke krahasuar tekstin e projektligjit me pjesët e legjislacionit të Bashkimit Europian me të cilat projektligji është përafruar. Në përfundim të shqyrtimit Komisioni për Integrimin Europian harton raportin përkatës, i cili përmban shkallën e përafrimit të projektligjit të propozuar me acquis të BE-së, si dhe amendamentet përkatëse për përmirësimin e tekstit të projektligjit, i cili i paraqitet Komisionit përgjegjës dhe seancës plenare. Sipas Rregullores së Kuvendit, raporti i Komisionit për Integrimin Europian është i detyrueshëm për t’u shqyrtuar nga komisioni përgjegjës para miratimit në tërësi të projektligjit. Në seancë plenare shqyrtimi i përputhshmërisë së projektligjit me acquis të BE-së bëhet sipas procedurës së zakonshme ligjvënëse.
Shërbimi i Përafrimit të Legjislacionit në Kuvend i ofron Komisionit për Integrimin Europian dhe Kuvendit asistencën e nevojshme teknikoligjore në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së. L
Ligjet e përafruara me acquis të BE-së për periudhën shtator 2013 – në vazhdim
Ligj nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”
Ligj nr.27/2016 “Për menaxhimin e kimikateve”
Ligj nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”
Ligj nr.39/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2014, “Për sigurimin e depozitave”
Ligj nr.66/2016 “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”
Ligj nr.71/2016 “Për kontrollin kufitar”
Ligji nr.74/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 108/2013 “Për të huajt””
Ligj nr. 95/2015 “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”.
Ligj nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror”.
Ligj nr. 124/2015 “Për efiçencën e energjisë”.
Ligji nr. 93/2015 “Për turizmin”.
Ligj nr. 46/2015 “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”
Ligj nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”
Ligj nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”
Ligj nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”
Ligj nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”
Ligj nr. 102/2014 “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”
Ligj nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”
Ligj nr. 89/2014 “Për pajisjet mjekësore”
Ligj nr. 53/2014 “Për sigurimin e depozitave”
Ligj nr. 52/2014 “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”
Ligj nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore e tregtare”
Ligj nr. 168/2013 “Për sigurinë në anije dhe në porte”
Ligj nr. 158/2013 “Për sigurinë në tunelet rrugore”