SHQIP | ENGLISH

Sot në kuvend 

Get the Flash Player to see this rotator.

Kuvendi miraton projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”.

 

seance 7Në seancën e sotme plenare, Kuvendi mori në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009  “Për  rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë  dhe nëpunësit civilë”

Projektligji në fjalë, parashikon ofrimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë duke shfrytëzuar mjete në dispozicion të institucioneve, si dhe reduktimin e kostos financiare që mbart zbatimi i ligjit aktual në fuqi. Sipas ndryshimeve të propozuara nga qeveria, parashikohet eleminimi i së drejtës së përfitimit të bonusit për disa funksionarë publikë apo nëpunës civilë, të cilët për shkak të detyrave të tyre specifike sugjerohen të përdorin mjetet e transportit në dispozicion të institucionit përkatës.

Gjatë diskutimeve në Seancën Plenare, deputetët e opozitës dhe mazhorancës shprehën qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë projektligj.
 
Në qendrimin e tyre, deputetët e opozitës, deklaruan se projektligji i propozuar nga qeveria nuk do të sjellë kursim por rritje të shpenzimeve.

Në fjalën e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, z.Edi Paloka deklaroi se me këtë projektligj, qeveria po vazhdon të mashtrojë shqiptarët.

“Në vazhdën e akteve të paturpshme të saj, qeveria na ka sjellë këtu një projektligj me të cilin shpreson të vazhdojë të mashtrojë shqiptarët. Një projektligj me anë të të cilit kërkon t’ju tregojë shqiptarëve se sa shumë po sakrifikojnë këta zotërinj për qytetarët e këtij vendi.” u shpreh z.Paloka.

Nga ana e tyre, anëtarët e mazhorancës vlerësuan se ky projektligj synon heqjen e abuzivizmit dhe privilegjeve për funksionarët e lartë të shtetit.

Në fjalën e tij, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani bëri të ditur se vlera që kursehet falë kësaj ndërhyrjeje është 165 milionë lekë ndërsa theksoi se ndryshimet në ligj ulin numrin e funksionarëve që përfitojnë bonuse për transport në 437 persona nga 624 persona që e përfitonin këtë privilegj më parë. 

Duke theksuar se këto ndryshime përputhen me filozofinë e kësaj qeverisjeje, Ministri i Financave bëri të ditur se do të ndërmerren ndërhyrje të mëtejshme në shkurtimin e shpenzimeve të qeverisë, të cilat do të parashikohen në buxhetin e vitit 2014.

“Një tjetër masë e ndërmarrë nga qeveria është ulja e personelit në institucione. Me këtë hap japim mesazhin për përgjegjshmërinë ndaj parasë publike. Ky mesazh do të vij çdo ditë nga qeveria e re” u shpreh Ministri i Financave, z.Cani.

Në emër të Grupit Parlamentar të LSI, Kryetari i grupit, z.Petrit Vasili vlerësoi se projektligji vjen në frymën e racionalizimit të minimizimit të shpenzimeve të zyrtarëve publikë. “Projektligji vjen me një mesazh pozitiv pasi shembulli më i mirë që mund ta japin funksionarët e lartë publikë është pikërisht shkurtimi i shpenzimeve duke nisur nga vetja. Kjo nismë është në frymën e filozofisë së qeverisë” u shpreh z. Vasili.

Pas diskutimeve dhe debateve të shumta si dhe shprehjes së qendrimit të të gjitha grupeve parlamentare, PR, PDIU, LSI, PD dhe PS, Kuvendi miratoi me shumicë votash projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.160, datë 15.10.2009 “Për  rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë  dhe nëpunësit civilë”.

 
 

 

Foto Galeri

Video Galeri

Get the Flash Player to see this player.
© 2010 Kuvendi i Shqiperisë. Të gjitha të drejtat e rezervuara