Sot në kuvend 

Get the Flash Player to see this rotator.

Kuvendi mblidhet në seancë plenare

 

seance 29Nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli, Kuvendi u mblodh në seancë plenare dhe zhvilloi debat për një sërë projektligjesh të rëndësishme.

Fillimisht deputetët diskutuan në lidhje me Aktin Normativ nr. 3, datë 7.9.2011 “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”.

Akti Normativ synon marrjen e masave të menjëhershme për përballimin e situatës emergjente, të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike, të dala jashtë përdorimit, pranë rrugëve kombëtare, të cilat kanë ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore në të gjithë territorin.

Seanca vijoi punimet në lidhje me fillimin e shqyrtimit të projektligj “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i këtij grupi Gramoz Ruçi u propozoi grupeve parlamentare që të miratojnë një pakt kombëtar prej 10 pikash që kanë të bëjnë me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë, me shqyrtimin e projektligjeve me rëndësi për integrimin e vendit dhe zgjedhjen konsensuale të krerëve të disa institucioneve të pavarura.

Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar, Astrit Patozi nënvizoi se propozimi i bërë nga opozita është thjesht një mënyrë për të mos votuar projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që janë kusht i domodoshëm për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, zoti Patozi vuri në dukje se përpara ndryshimeve të kërkuara nga Partia Socialiste, është shumë më e rëndësishme që të plotësohen kërkesat imediate të vendosura nga Bashkimi Europian siç është reforma zgjedhore. 

Në vijim, Kuvendi miratoi Aktin Normativ nr. 3, datë 7.9.2011 “Për heqjen e mjeteve motorike, të rimorkiove si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare”; projektligjin “Për shërbimin veterinar në RSH”, si dhe projektvendimin “Për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Austrisë për realizimin e një sistemi kompjuterik për rregjistrin themeltar të gjendjes civile në Shqipëri’.

Kuvendi shtyu shqyrtimin dhe votimin e projektligjit “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”; projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. (4 nisma legjislative) (84 vota) dhe projektligjin “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë në Republikën e Shqipërisë”.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi kandidaturën e zonjës Lindita Milolati për një mandat të dytë si Kryetare e Autoritetit të Konkurencës.

Kryetarja njoftoi deputetët edhe për disa ndryshime në përbërjen e komisioneve parlamentare. Kështu, deputetët Ndrec Dedaj dhe Arjon Muço caktohen anëtarë të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese,  Tregtinë dhe Mjedisin, ndërsa deputeti Eduard Shalsi caktohet në pozicionin e zëvendëskryetarit të këtij komisioni. Gjithashtu, deputeti Ramiz Çobaj caktohet anëtar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin dhe i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ndërkohë që deputeti Viktor Gumi largohet nga anëtar i Komisionit për Integrimin Europian dhe deputetja Rajmonda Bulku caktohet si anëtare e këtij komisioni.

Në vijim, Kuvendi zhvilloi interpelancë me Kryeministrin Sali Berisha, të kërkuar nga deputeti socialist Erjon Braçe në lidhje me menaxhimin nga ana e qeverisë së pasurive kombëtare, si dhe me Ministrin e Financave Ridvan Bode, të kërkuar nga deputetja e PS-së Mimi Kodheli për çështje të situatës ekonomike në vend.

Seanca plenare i mbylli punimet në orën 17:20.

Foto Galeri

Video Galeri

Get the Flash Player to see this player.
© 2010 Kuvendi i Shqiperisë. Të gjitha të drejtat e rezervuara