Byroja e Kuvendit

Byroja e Kuvendit ndjek dhe vendos për çështjet administrative, si dhe funksionimin e brendshëm të Kuvendit dhe të organeve të tij. Byroja e Kuvendit përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët, 2 sekretarë për buxhetin e 4 sekretarë dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Përbërja e Byrosë së Kuvendit pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Byroja vendos për buxhetin e Kuvendit, sipas propozimit të bërë nga sekretarët për buxhetin; vendos për ankimet në rastet e konstituimit të grupeve parlamentare dhe për ankesat e grupeve parlamentare për përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit. Byroja e Kuvendit, me propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm, miraton Rregulloren e Brendshme për Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimeve të Kuvendit. Byroja e Kuvendit nxjerr vendime dhe udhëzime për sa i përket: a) organizmit të shërbimeve në Kuvend dhe detyrave të ngarkuara çdo njësie të saj, në përputhje me funksionimin e Kuvendit; b) statusit ligjor, trajtimit ekonomik dhe kushteve të shërbimit për të punësuarit në Kuvend. Byroja e Kuvendit shqyrton dhe vendos për masat disiplinore të propozuara nga drejtuesi i seancës, sipas nenit 65 pika 2 të Rregullores së Kuvendit. Byroja e Kuvendit emëron, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit mbi bazën e tre kandidaturave të dala nga procedura e konkurrimit, sipas ligjit të shërbimit civil. Byroja e Kuvendit, me propozimin e Sekretariatit për Buxhetin e Kuvendit, autorizon publikimin e shpenzimeve financiare të kryera nga Kuvendi në faqen zyrtare të internetit çdo dy muaj. Byroja e Kuvendit miraton raportin vjetor të veprimtarisë së Kuvendit, të përgatitur nga Sekretari i Përgjithshëm dhe vendos për publikimin e tij. Përbërja aktuale është si vijon: Gramoz Ruçi - Kryetar Kuvendi (grupi parlamentar PS), Vasilika Hysi - Zëvendëskryetare Kuvendi (grupi parlamentar PS),  Myslim Murrizi - Zëvendëskryetar Kuvendi (grupi parlamentar demokrat), Anastas Angjeli - Sekretar për Buxhetin (grupi parlamentar PS), Alban Zeneli - Sekretar për Buxhetin (grupi parlamentar demokrat), Alket Hyseni - Sekretar për Procedurat dhe Votimet (grupi parlamentar PS), Besnik Baraj - Sekretar për Kërkimin Shkencor, Bibliotekën e Botimet Parlamentare (grupi parlamentar PS), Ervin Bushati - Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë (grupi parlamentar PS, Nimet Musaj - Sekretar për Statusin e Deputetit.