Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miraton ndryshimet në ligjet për “Për lejet e mjedisit” dhe “Për mbrojtjen e mjedisit”

  • Postuar më, 10/03/2020

10 mars 2020

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në drejtimin e kryetarit, z. Niko Peleshi dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës, vijoi shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015 ‘Për sektorin e energjisë’, të ndryshuar”. Të ftuar ishin z. Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Elton Radheshi, Sekretar i Përgjithshëm i ERRE, ndërsa grupet e interesit (AREA) përfaqësoheshin nga znj. Anita Shushku.

Pas miratimit të parim të projektligjit, u vijua me shqyrtimin nen për nen të tij. Pritet që në mbledhjen e radhës së komisionit të shqyrtohen amendamentet e deputetit socialist Ilir Beqaj, i cili është edhe relator i projektligjit në fjalë.

Më tej rendi i ditës vijoi me ri-shqyrtimin e projektligjeve “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10448, dt. 14.7.2011 ‘Për lejet e mjedisit’, të ndryshuar” dhe “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10431, dt. 9.6.2011 ‘Për mbrojtjen e mjedisit’, të ndryshuar”. Për të dhënë sqarime lidhur me këto dy projektligje të njohura si “Paketa e mjedisit” ishin të ftuar z. Edison Konomi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe znj. Enerjeta Tarelli, Drejtor Juridik i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Në nisje të diskutimeve z.Konomi bëri të ditur se janë marrë parasysh disa sugjerime të ardhura nga deputetët z.Besnik Baraj dhe Ismet Beqiraj, si dhe grupet e interesit, të cilat lidhen me shtojcën A që shoqëron projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10448, dt. 14.7.2011 ‘Për lejet e mjedisit’, të ndryshuar”. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan nen për nen dhe në tërësi projektligjet në fjalë.