Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miraton ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”

  • Postuar më, 09/03/2020

9 mars 2020

Në drejtimin e kryetarit, z.Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për Policinë e Burgjeve”. Relatore e projektligjit ishte znj.Vasilika Hysi, ndërsa të ftuar për të dhënë sqarime lidhur me nismën ligjore ishte zëvëndësministrja e Drejtësisë, znj. Fjoralba Caka, si dhe përfaqësues nga Avokati i Popullit, misioni Euralius,  osbe, Prokuroria e Përgjithshme, etj.

Znj.Hysi gjatë prezantimit theksoi se: “projektligji është parë me kujdes në tre këndvështrime: nga pikëpamja e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe kryesisht të rregullave specifike që për fat janë të shumta në lidhje me stafet e institucioneve të burgjeve; e dyta është marrë në konsideratë praktika ose përvoja e Gjykatës së Strasburgut, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut  që sa herë diskuton për shkelje të nenit 3 të Konventës për Ndalimin e  Torturës e lidh shpesh me stafin, cilësinë e stafit dhe kapacitetet e tij, pikërisht me ligjin “për policinë e burgjeve”; e treta janë marrë në konsideratë edhe të gjitha raportet që janë adresuar Shqipërisë në vitet e fundit dhe raporti më i fundit, është ai i Komitetit Evropian për Parandalimin  e Torturës”.

Zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Fjoralba Caka sqaroi se projektligji në fjalë është pjesë e “Paketës Peritenciare” dhe ka për synim kryesor reformimin e sistemit. Ajo nënvizoi se nëpërmjet ndryshimeve ligjore të propozuara synohen të arrihen përmirësime në trajtimin financiar, krijimin e një stafi me kapacitete të mjaftueshme profesionale, përmirësimin e procedurave të rekrutimit, të trajnimit dhe të promovimit në detyrë të punonjësve të Policisë së Burgjeve, etj.  Pas diskutimeve, pyetjeve dhe sugjerimeve, komisioni miratoi nen për nen projektligjin në fjalë.

Më pas rendi i ditës së komisionit vijoi me shqyrtimin e projekt-rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2019”. Komisioni ka vlerësuar angazhimin e Komisionerit për realizimin plotësisht të të 12-të rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë për vitin 2019, si dhe arritjet e shënuara nga ky institucion për rritjen e transparencës nga ana e institucioneve publike. Në projekt-rezolutë janë përcaktuar edhe rekomandimet për vitin 2020. Në përfundim të diskutimeve projekt-rezoluta u votua dhe u miratua nga anëtarët e komisionit.